Karol Bartz, një grua në krye të "Yahoo"!
Ndryshime të mëdha në shtëpinë e "Yahoo"-së. Kësaj radhe, siç ndodh shumë rrallë në botën e internetit, do të jetë një grua dhe pikërisht Karol Bartz administratorja e re e deleguar e motorit të dytë më të madh të kërkimit në botë. Bartz do të zëvendësojë në këtë detyrë bashkëthemeluesin e kësaj shoqërie, Xherri Jang, pas problemeve dhe "jo"-së së vazhdueshme për blerjen e saj nga "Microsoft"-i. Për shumë, kjo mendohet se do të jetë një fazë e re e "Yahoo"-së, ku më pas mendohet se do të largohet edhe presidenti Sue Deker, që ka anonçuar në këshillin administrativ të shoqërisë se do të dorëhiqet në fundin e kësaj periudhe tranzicioni. Zgjedhja e Bartz pati një efekt të menjëhershëm dhe vjen pas plot dy muajsh kërkime për një administrator të ri të deleguar. Në fakt, kërkimi kishte nisur që 18 nëntorin e kaluar, kur Jang kishte deklaruar se do të largohej. Bartz, që është 60 vjeçe, u kontaktua nga motori i kërkimit në dhjetor, tregon Bostock gjatë një konferencë shtypi, ku iu bë një ofertë për këtë detyrë. "Është kombinimi i duhur i një ekzekutiveje me eksperiencë dhe një lideri të vendosur që di të bëjë gjithçka", pranon Bostock. "Jemi shumë entuziastë ndaj idesë për të pasur Karol Bartz në drejtimin ‘Yahoo‘-së, pavarësisht periudhave të vështira që na presin. Karol adhurohet si në ‘Silicon Valley‘, si në ‘Wall Street‘ për eksperiencën dhe cilësitë e saj". Në të vërtetë, Bartz do të përballet menjëherë me sfida të rëndësishme, mes të cilave edhe nënvlerësimi i emrit "Yahoo" dhe fuqizimin e këtij motori kërkimi, që vazhdon të humbasë terren në krahasim me "Google", "Myspace" e "Facebook" dhe si një konkurrent që është infektuar nga ngadalësimi ekonomik dhe nga rënia e të ardhurave prej reklamave. Bartz ka qenë administratore e deleguar e "Autodesk" për 14 vjet, nga viti 1992 deri në 2006-ën. Gjatë kësaj kohe ajo arriti ta shndërronte shoqërinë në një prej liderëve të tregut, me një xhiro vjetore që ka arritur shifrën deri në 1.5 miliardë dollarë. Përveç të tjerash, Bartz ka qenë edhe drejtuese e "Sun Microsystems" dhe së bashku me Jang, pjesë e bordit drejtues të "Cisco Systems". Ajo ka qenë gjithashtu edhe pjesë e këshillit administrativ të "Intel" me presidentin e kompanisë Deker, që e pranoi në postin e "Yahoo"-së. Përpara se të niste punën në kompaninë "Autodesk", Bartz, e diplomuar në Informatikë në Universitetin e Uiskosinit, ka punuar për DEC dhe "3M". E përveçse e pranishme thuajse në të gjithë këshillat administrativë të shoqërive të rëndësishme, gruaja 60-vjeçare është pjesë edhe e këshillit për shkencën e teknologjinë në administratën e Presidentit Xhorxh Bush. Me nominimin e Bartz-it do të nisin të hapen pyetjet mbi zgjedhjet e ardhshme strategjike të "Yahoo"-së, sidomos ajo mbi rihapjen e mundshme të bisedimeve me "Microsoft"-in për shitjen e aktivitetit të kërkimit. Bartz nuk është se ka eksperiencë të madhe në aktivitetet e internetit, por sipas kritikëve, "Yahoo" do të nxjerrë përfitime nga zgjedhja e saj, edhe pse detyra që do të ketë nuk do jetë e thjeshtë. "Nuk mund të mos jem i kënaqur me zgjedhjen e këshillit administrativ. Mendoj se Karol është njeriu i duhur për të drejtuar "Yahoo"-në dhe do të jem i nderuar të asistoj në mënyrën që ajo do të përdorë për t‘i kthyer besueshmërinë dhe famën shoqërisë", ka shkruan Jang në një komunikatë për shtyp. "Nuk përbën sekret fakti që ‘Yahoo‘ ka kaluar shumë momente të vështira në vitin e fundit. Por mendoj se tani ekziston një mundësi e jashtëzakonshme për të krijuar vlera për aksionistët. Mundësi të reja do të ketë edhe për klientët tanë, partnerë e vartës". 2008-ën do ta mbajnë mend të gjithë si vitin e bisedimeve të "Yahoo"-së me "Microsoft"-in, që shkurtin e kaluar kishte bërë një ofertë me vlerë 33 dollarë për aksion. Por, përpjekja e "Microsoft"-it dështoi, për shkak se të dyja palët nuk ranë dakord për vlerën e aksioneve të "Yahoo"-së. "Microsoft" tha se e kishte rritur ofertën me afro 5 miliardë dollarë, duke e vlerësuar një aksion 33 dollarë. Mirëpo drejtuesit e kompanisë "Yahoo" kërkuan 37 dollarë për çdo aksion. Korrespondentët në Shtetet e Bashkuara thonë se "Microsoft" dëshironte ta blinte "Yahoo"-në për të konkurruar me kompaninë tjetër, "Google", e cila dominon tregun fitimprurës të reklamave në internet. Ky treg vlente plot 40 miliardë dollarë në 2007-ën dhe parashikohet që vlera e tij do të dyfishohet deri në 80 miliardë në 2010-ën. Kjo situatë shkaktoi indinjatën e shumë aksionerëve të motorit të kërkimit, mes të cilëve edhe miliarderit Karl Ikahn, që drejtoi revoltën kundër kreut të shoqërisë.
Gruaja e parë në krye të një gjiganti interneti
Le të shpjegojmë pikën e dobët të botës high-tech: mungesën e grave. Në të vërtetë, e gjitha kjo nis nga themelimi dhe drejtimi i kompanive më të mëdha e më të suksesshme në vitet e fundit në SHBA. Le ta nisim nga "You Tube", themeluar në vitin 2005 nga Çad Harlej, Stiv Çen dhe Joud Karim, tre meshkuj jo më shumë se 20 vjeç. Pastaj kalojmë te "Facebook", krijuar në vitin 2004 në Harvard, falë këmbënguljes dhe punës së një studenti, Mark Zuckerberg. Po "My space"? U krijua në vitin 2003 nga Tom Anderson, një kërkues shkencor në Universitetin e Kalifornisë. Duke e kthyer kohën pas, le të ndalemi te "Google", prezantuar në vitin 1996 nga dy djem prej Standford, Lerri Pejxh dhe Sergej Brin, sot dy supermiliarderë. Edhe "eBay", sajti i ankandeve online, që ka ndryshuar botën e tregtisë, u shpik në vitin 1995 nga hakeri Piere Omidjar. Mund të shkojmë më tej me "Apple" e Stiv Xhobs (1976), apo në "Microsoft"-in e Bill Gejts (1975), duke arritur në fund te "Hewlett Packard", një ndërmarrje e rëndësishme e "Silicon Valley", krijuar në vitin 1934 nga Bill Hewlett dhe Dave Packard. Kështu, roli i drejtuesve, themeluesve e këshilltarëve më të rëndësishëm, u takon gjithmonë vetëm meshkujve. Me sa duket, hi-tech është një aktivitet që u kushtohet vetëm meshkujve dhe ku gratë ose mungojnë, ose mund të numërohen me gishta. Argumenti është aq shumë i ndjeshëm në Amerikë, sa Lerri Sumers, ish-ministër i Thesarit në kohën e Bill Clinton-it dhe një nga ekonomistët më të mirë amerikanë, një vit më parë hoqi dorë nga karrigia e presidentit të Harvardit, për shkak të diskutimit që hapi mbi këtë çështje. Sumers ishte në qendër të një polemike të dhunshme, që kur në janar të vitit 2005 kishte sugjeruar se numri i ulët i grave në komunitetin shkencor mund të shpjegohej me aftësitë e pakta të tyre për shkencën. Me zgjedhjen e Karol Bartz në drejtimin e "Yahoo"-së, vërtetohet se e ka pasur plotësisht gabim.