E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nikol Kidman, e pakënaqur me veten dhe punën e saj

Asnjëherë më parë nuk ka qenë më e zonja se sa në filmin "Portreti i zonjës", apo më e bukur se sa në filmin tjetër "The others". Ndoshta ka qenë ndarja nga ish-bashkëshorti Tom Kruiz, 40-vjetori, ose ndoshta njohja me burrin e ri dhe ardhja në jetë e vajzës ato që e kanë ndryshuar aktoren e famshme. Gjithsesi, mund të themi me bindje të plotë se Nikol Kidman nuk është më e njëjta. Ajo është dobësuar shumë, ndërsa filmat që zgjedh, si ato që janë programuar për një sukses të sigurt dhe të tjerët normalë, në fund rezultojnë të bezdisshëm, zhgënjyes e ndonjëherë humbje kohe.

Edhe filmi i fundit "Australia" nuk është në lartësinë e duhur, madje këtë herë e ka kuptuar edhe vetë aktorja. Kidman ka deklaruar se nuk është krenare për punën që ka bërë dhe se i vjen turp për pjesëmarrjen në film. Ky i fundit ka kushtuar 147 milionë dollarë dhe është shfaqur vetëm në Shtetet e Bashkuara dhe në Australi. "Australia" është një aventurë epike e romantike, e përshtatur në kontinentin e Australisë, pak kohë para shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore. Në Australi, regjisori ka krijuar një eksperiencë mallëngjyese, që bashkon romantizmin, dramën, aventurën dhe spektaklin. Është një histori e madhe epike, njësoj si territori në të cilin është përshtatur. Pas një udhëtimi të gjatë, i cili e shpie në një botë komplet ndryshe nga e saja, një grua vendos të kërkojë burrin e ëndrrave të saj dhe gjen atë që nuk e kishte imagjinuar ndonjëherë për veten e saj.

Lady Sara Ashli (Nikol Kidman) ka kaluar një pjesë të mirë të jetës në kërkim të perfeksionit sipërfaqësor, por martesa pa dashuri dhe mungesa e fëmijëve e kanë shndërruar jetën e saj private në një ferr. Gëzimi i vetëm janë kuajt e fermës së saj.

"Për mua ‘Australia‘ ka qenë një udhëtim i mrekullueshëm në vendin ku jam rritur. Filmin e Baz Luhrmanit e konsideroj si një tregim mbi familjen dhe kundër luftës, përveçse një histori dashurie, në kornizën e një peizazhi që shndërrohet vazhdimisht e që më ka maturuar si grua e si nënë", thotë Nikol Kidman, edhe pse nuk është e kënaqur me punën e saj. Fituesja e çmimit "Oskar" në vitin 2002, me filmin "The Hours", ka treguar në një mënyrë shumë të këndshme se filmat e saj nuk u pëlqejnë të gjithëve, sepse zakonisht i drejtohen një publiku të përcaktuar, megjithatë me "Australian" është ndryshe. Por, për momentin bukuroshja Nikol duhet të përballet me një sfidë të rëndësishme, pasi është thirrur për të interpretuar "The danish girl", historinë e artisteve daneze, Einar dhe Greta Vegener. Në këtë film Kidman do të ketë përkrah një tjetër yll kinemaje, Sharliz Theron.

Bombat japoneze vazhdojnë të bien mbi Australi, ndërkohë që një histori e pamundur dashurie lind mes një aristokrateje të pasur angleze dhe një fshatari të ashpër. Rreth kësaj ngjarjeje zhvillohen të gjitha temat e "Australisë", filmi romantik i regjisorit Baz Luhrman. Filmi, që zgjat plot dy orë e gjysmë, ka si protagonistë kryesorë dy yje të Hollivudit me origjinë australiane: Nikol Kidman dhe mashkullin më seksi të zgjedhur nga revista "People", Hjuxh Xhekmen.

Nikol, e transformuar në zonjën Sara Ashli, e pranoi me entuziazëm propozimin për të xhiruar një film në tokën e saj të lindjes. Shtatzënia nuk e ka penguar aspak të luajë në mënyrë të magjishme pjesën e aristokrates luftëtare të zonjës Sara Ashli. Kidman, që u bë mama në muajin korrik, tregon se fëmijët janë gjithmonë një shtysë për të ecur përpara.

Kritika i është përgjigjur pozitivisht punës më të re të Luhrmanit. Regjisori që mendonte të përsëriste suksesin e arritur po me aktoren Nikol Kidman si protagoniste e muzikalit "Moulin Rouge" në vitin 2001, ia arriti sërish qëllimit. I frymëzuar nga klasikët e mëdhenj, si "Afrika ime", "Bashkë me erën" dhe "Lorenci i Arabisë", regjisori arriti të bindë edhe më skeptikët. Në film duket se ka bindur tërësisht edhe Hjuxh Xhekmenin, i thirrur për të zëvendësuar Rasëll Kroun, që tha "Jo" në momentin e fundit.

Ndryshe nga ç‘ishte parashikuar, filmi "Australia" nuk mori asnjë çmim "Golden Globe". Regjisori nuk është mërzitur, sepse edhe filmat e tij të mëparshëm, "Romeo+Juliet", apo "Moulin Rouge", nuk janë pritur mirë në fillim, por vetëm më pas janë bërë tituj kult kinematografikë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›