E Diel, 1 Nëntor 2026

Kina, lajme, satelitë dhe gazeta të reja të pritshme. Kjo do të jetë pamja e re e Pekinit

Lamtumirë propagandës së vjetër të regjimit. Tashmë Kina po investon në "soft power"-in mediatik në shkallë planetare. Me 5 miliardë euro financime, qeveria e Pekinit do të financojë një projekt gjigant për të pushtuar informacionin global: një rrjet të ri lajmesh në gjuhën angleze 24 orë në 24, në formatin e CNN-it; kanale të tjera satelitore arabe dhe ruse; një gazetë të përditshme ndërkombëtare për të mbrojtur arsyet e Republikës Popullore. Me pak fjalë, kjo është iniciativa më domethënëse e ndërmarrë ndonjëherë nga superfuqia aziatike për të penguar influencën perëndimore mbi mjetet e informacionit.

Zbatimi i këtij projekti, për të qenë numër një edhe në botën e medias, është përgjigjja e duhur që regjimi komunist ka dhënë pas mësimeve të "annus horribilis" (vitit të tmerrshëm) që sapo lamë pas. 2008-a ishte një kalvar për imazhin botëror të Pekinit: revolta në Tibet, debatet e jashtme për të drejtat e njeriut që turbulluan Lojërat Olimpike, skandali i qumështit të kontaminuar, për ta mbyllur me manifestimin e Kartës ‘08, prezantuar nga një grup disidentësh demokratë në muajin dhjetor. Viti 2009 ka ardhur me një atmosferë pak të tensionuar. 21-vjetori i masakrës së sheshit "Tienanmen" mund ta thellojë edhe më tej pakënaqësinë shoqërore, të ushqyer nga kriza ekonomike dhe rritja e papunësisë së të rinjve. Gjithsesi, këtë herë qeveria kërkon një rrugë të re, duke siguruar pajisje më moderne për të penguar kritikat dhe për të nxitur opinionin publik ndërkombëtar.

Gjatë protestave kundër flakës olimpike, liderët kinezë përdorën një ide strategjike mbi "problemin e pamjes" së tyre në botë. Me afrimin e Lojërave Olimpike, qeveria e Wen Jiabao u lidh me agjencitë e mëdha të marrëdhënieve publike anglo-amerikane, për të tërhequr ekspertë të komunikimit dhe për të planifikuar një kundërsulm. Por ajo punë nuk u mbyll me Lojërat Olimpike, përkundrazi, kur u fikën dritat e lojërave, mjetet kryesore të informacionit të shtetit kërkuan ndihmën e ekspertëve të huaj për të ndjekur strategji të reja. Tani qeveria është gati të plotësojë të gjitha burimet financiare të nevojshme për të përballuar sfidën e re. Qëllimi është një strategji e pëlqyeshme, që është e aftë të lëshojë jashtë vendit një forcë politiko-kulturore ekuivalente me kapacitetin ekonomik të Kinës.

45 miliardë renminbi (5 miliardë euro) janë vënë në dispozicion të tri organizatave më të mëdha multimediale të vendit: Televizioni Qendror i Kinës (TQK), agjencia e shtypit "Xinhua" (Kina e Re) dhe grupi editorial që publikon "Gazetën e Popullit". Iniciativat më spektakolare do të bëhen në fushën televizive, ku po përgatitet hapja e një televizioni informativ global për të konkurruar CNN-in dhe "Al-Xhazirën", me lajme dhe informacione të vazhdueshme në gjuhën angleze. Veç të tjerash, Televizioni Qendror i Kinës do të shtojë dy shërbime të reja në gjuhën ruse dhe arabe, të cilat do t‘u shtohen kanaleve satelitore, që transmetojnë në gjuhën mandarin, angleze, franceze dhe spanjolle. Qëllimi është rritja e audiencës së huaj ndaj televizionit kombëtar, i cili sot ndiqet nga 84 milionë shikues prej 137 vendeve të botës. Nga ana e saj, agjencia e shtypit "Kina e Re" po përpiqet të dyfishojë numrin e zyrave të korrespondencës së saj jashtë vendit, që aktualisht janë 100. Ajo pretendon që kjo shifër të arrijë në 186. "Gazeta e Popullit" do të përdorë për fyerje ndërkombëtare gazetën e saj elitë, versioni anglisht "Global Times", që do të publikohet së shpejti dhe do të shpërndahet në të gjithë botën. "Global Times", që do të servirë shumë informacione pikante, ka nisur kërkimet për redaktorë të rinj anglishtfolës për numrin e saj të parë. Ndryshe nga pjesa tjetër e botës, ku sektori i medias është ndër më të sulmuarit nga qeveria, Kina po investon fuqishëm në fushën e informacionit.

Yu Gouming, rektori i Fakultetit të Gazetarisë, është shprehur për gazetën e Hong-Kongut "The South Cina Morning Post", se ky investim lind "nga vetëdija se ekziston një mospërputhje e madhe mes imazhit që Republika Popullore projekton për të huajt dhe mendimit që ka për veten. Ky hendek i madh mund të mbyllet me propagandën tradicionale, prandaj duhen përdorur metoda më të sofistikuara komunikimi". Që prej kohërave të Mao Ce Dun-it, Pekini nuk e ndërmerrte një iniciativë të tillë, por sot Kina kërkon t‘i tregojë botës një imazh të sigurt për veten, funksional ndaj mbrojtjes së ekspansionit të saj ekonomik në botë. Fillimisht edhe Lojërat Olimpike ishin menduar në këtë këndvështrim. Prej vitesh Presidenti Hu Jintao dhe krerët e Partisë Komuniste kineze janë përpjekur të analizojnë historinë e superfuqive të tjera, seminaret e mbajtura nga ekspertët për të deshifruar përbërësit e shkëlqimit dhe rënies së perandorive. Kështu, liderët kinezë kanë menduar me shumë kujdes për "soft power"-in, sepse nuk mund të ndërtohet me arsenale ushtarake, por me forcën e mendimeve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›