Botohet "Shtatë mbretërit taulantë"
Aty gjen legjendat për themelimin e qytetit të Durrësit, por gjen edhe interpretime e fakte të reja historike që lidhen me historinë e qytetit bregdetar. Në librin e titulluar "Shtatë Mbretërit Taulantë", arkeologia prof. Hava Hidri, ka trajtuar historinë, jetën politike, sociale dhe ekonomike të qytetit që nga themelimi e deri në fillim të erës së re. Në këtë vëllim ajo ka renditur gjithashtu edhe dinastitë e mbretërve ilirë që udhëhoqën Durrësin për afro 7 shekuj radhazi. Ajo vlerëson nga këndvështrimi i saj si studiuese gjetjet arkeologjike. "Shtatë mbretërit taulantë" sjell të dhëna të vlefshme për zhvillimin e vrullshëm të qytetit, shkëmbimet tregtare, organizimin politik, të dhënat demografike dhe topografike, rolin e gruas në shoqërinë ilire etj. Ky vëllim është i pajisur me afro 40 foto dhe skica të zbulimeve të ndryshme arkeologjike.