Karolina Veriore përgatitet për uraganin “EARL”

Wilmington, 2 shtator - Guvernatorja e Karolinës Veriore, Beverly Perdue, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, për shkak të afrimit të uraganit “Earl”, i cili nga Karaibet është drejtuar kah Bregu Lindor i SHBA-së. Agjencia Federale për Situata të Jashtëzakonshme ftoi banorët që të përgatiten për evakuim. Uragani “Earl”, momentalisht, gjendet rreth 1 mijë kilometra nga Karolina Veriore dhe pritet që me erëra me shpejtësi deri në 200 kilometra t’i afrohet bregut. Meteorologët paralajmërojnë se është ende herët për vlerësime se në ç’masë uragani mund të përfshijë bregun.