Karriera dhe paga e gjyqtarëve në të gjitha shkallët e Gjyqësorit
Komisioni Parlamentar i Ligjeve ka mbyllur pak kohë më parë me konsensus ndryshimet në ligjin “Për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor”, duke vendosur kufizim në 4 vjet për mandatin e kryetarëve të gjykatave, si dhe kritere të reja për rritjen në karrierë e masat disiplinore ndaj tyre. “Ky projektligj do të përmirësojë funksionimin e pushtetit gjyqësor, do të rrisë pavarësinë e gjyqtarëve dhe do të ulë ndjeshëm hapësirat për korrupsion”, - është shprehur kryetari i Komisionit, Fatos Beja. Me konsensus anëtarët vendosën që të drejtën e propozimit të kryetarëve për gjykatat të mos e ketë më ministri i Drejtësisë, por Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Në projekt u vendos që të gjithë gjyqtarët do të kenë të drejtë konkurrimi për postin e kryetarëve. Është përcaktuar mandat katërvjeçar për krerët e gjykatave me të drejtë rikandidimi. Për çështjen e pagave ligjvënësit kanë rënë dakord që për asnjë gjyqtar nuk do të ketë ulje të pagës, përkundrazi, atyre me përvojë do t’u rritet nga shkalla në shkallë. “Pas pesë vitesh në sistemin e parë, çdo vit do të rritet 2% rroga, deri në 25 vjet. Po ashtu në shkallën e dytë, pas 15 vjetësh në sistem, një gjyqtare i apelit çdo vit i rritet 2% rroga. E njëjta gjë deri në 25 vjet”, - sqaroi kryetari. Po kështu, sipas Bejës, Komisioni vendosi që t’ua rrisë në masën 10% pagën kryetarëve të gjykatave. Ndërsa krerëve të Gjykatës së Apelit në Tiranë dhe Krimeve të Rënda, përveç 10% mbi pagën e tyre, do t’u jepen edhe 10% shtesë tjetër për kushte të veçanta, me synim afrimin me pagën e ministrit. Për rritjen që do të nisë në janar të vitit të ardhshëm, buxheti i shtetit do të shtojë një fond prej 7 milionë lekësh për Gjyqësorin. Vlerësimi i punës së gjyqtarëve do të bëhet në një afat kohor prej 3 vjetësh nga KLD.
17 Maj 2008