Vasili: “Dështimet e qeverisë po deformojnë demokracinë në vend”
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, deklaroi dje se demokracia në Shqipëri po përjeton një moment të vështirë, si rezultat i qeverisjes së keqe që ka pllakosur vendin. Duke komentuar raportin e “Freedom House”, Vasili tha se qeverisja e kryeministrit Berisha nuk po bën gjë tjetër, veçse po e fut në qorrsokak demokracinë shqiptare. “Një nga shkaqet e vërteta dhe madhore është korrupsioni i lartë dhe i jashtëzakonshëm i kësaj qeverie, gjë që ka bërë të bjerë përtokë plotësisht karta e luftës kundër korrupsionit të Qeverisë së Berishës, duke e bërë korrupsionin një digë të pakapërcyeshme të Qeverisë dhe korruptimit ekstrem të raportit të saj me qytetarët. Zbatimi me nivele shumë të ulëta të ligjit është provë e qartë që me këtë qeverisje antiligji po mbretëron duke zëvendësuar plotësisht shtetin ligjor dhe duke i lënë krejtësisht të pambrojtur qytetarët ndaj abuzimit shtetëror dhe duke i bërë ata të ndihen gjithnjë e më të pasigurt. Qeveria shqiptare është pa dyshim shkaktare e të gjithë situatës së rënduar të demokracisë, sepse me paaftësinë dhe mungesën e plotë të eficiencës si dhe me mashtrimin e pafund, që i bënë popullit është kthyer në një qeveri, e cila ka humbur të drejtën e qeverisjes së këtij vendi”, - u shpreh sekretari i Përgjithshëm i LSI-së Petrit Vasili.
17 Maj 2008