Karshillëk apo një ideologji e re!
Shumë kritikë të Sali Berishës po i konsiderojnë si një karshillëk të Perëndimit miqësitë e tij të shtuara me vende antiperëndimore brenda dhe jashtë Bashkimit Evropian. Miqësia e tij e fundit me kryeministrin hungarez Orban, një karagjoz antiperëndimor që po provokon fatin evropian të Hungarisë, dhe me Presidentin Aliev, një diktator batakçi që ka zhdukur opozitën dhe median e lirë dhe sundon me pushtetin e Familjes Azerbajxhanin, shikohet gjithnjë e më shumë si një izolim i tij nga Perëndimi dhe rendje pas profilesh antiperëndimore dhe korruptive.
Por në të vërtetë kursi i ri i Berishës nuk është kaq rastësor dhe kaq emocional. Pasi dështoi në krijimin e një dualiteti mes qëndrimeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Bashkimin Evropian ndaj tij, pra pasi ai nuk arriti të gjente mbështetje as në Bruksel dhe as në Uashington, ka filluar me shumë vetëdije të flasë për një prioritet të ri për Shqipërinë. Nëse hetoni fjalorin e Sali Berishës do të shikoni se në të fjala demokraci, liri zgjedhjesh, liri shtypi është zëvendësuar me zhvillim ekonomik, rritje ekonomike, privatizime, vepra madhore etj. Udhëtimi i tij në Azerbajxhan tek xhelati i Lindjes ish- komuniste, u bë për një pazar të madh mes dy familjeve në pushtet për naftën shqiptare, ndërsa udhëtimi drejt Hungarisë për të konsoliduar teorinë e zhvillimit si më prioritare se teorinë e një shteti demokratik.
Vetë kryeministri hungarez po i kundërvihet Perëndimit pikërisht me këto teza. Ai po injoron sulmet e Perëndimit ndaj lirisë së shtypit në Hungari, po injoron sulmet për kufizimin e lirive ekonomike dhe problemet e strukturimit transparent të ekonomisë dhe po flet për një Hungari që Perëndimi i bie më qafë, pasi ajo kërkon të jetë një vend i zhvilluar ekonomikisht. Detajet e tij teatrale nacionaliste natyrisht që shkaktojnë të vjella në Perëndim dhe tek intelektualët hungarez, por shpresa e tij është të nxisë populizmin me ëndrrat për mirëqenie në kohë krize, dhe të dominojë nevojën për demokraci me nevojën për para të premtuara. Si një mik i mirë në ditë të vështira, kryeministri hungarez Orban ka nevojë të vizitohet nga dikush që jeton në Evropë dhe ta vlerësojë për burrërinë e tij antiperëndimore, dhe Sali Berisha është i pari kryeministër i Evropës që i gjendet pranë në këtë izolim të pashembullt që ai ka nga Evropa. Nga ana tjetër vetë kryeministri i Shqipërisë ka nevojë që dikush nga Evropa ti thotë demokrat, dhe Orban si frymëzues i kësaj lëvizje të re kundër Perëndimit nuk i kursen lëvdatat për demokratin e tipit të ri Sali Berisha. Të dy në një farë mënyre i gjenden pranë njëri- tjetrit. Me një lloj nacionalizmi të ri që bazohet tek fryma antiperëndimore, për të cilën kanë nevojë autoritarët e rinj të ish- Lindjes komuniste, liderë si Orban, Berisha, Aliev, Lukashenko, dhe kolegë të tyre në Ukrainë, Gjeorgji, po përpiqen të përdorin krizën financiare perëndimore dhe krizën e tyre me Perëndimin, si një rast për të promovuar rëndësinë që ka një ardhme e premtuar si e begatë falë vizionit të ri nacionalist antiperëndimor të këtyre liderëve. Berisha po hyn me drojë, por i qartë në këtë rrugë. Izolimi i tij total nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e çojnë atë në pozitat e krizës së vitit 1997, kur kërkonte shpëtim nga lidhjet me regjimet autoritare islamike. Shpëtimi i tij tani janë bërë regjimet me demokraci hibride, që refuzojnë tu nënshtrohen rregullave dhe kulturës perëndimore të drejtimit të një shteti.
Në këtë pikë orientimi i ri i Berishës nuk duhet parë thjesht si karshillëk ndaj SHBA apo Brukselit për izolimin e tij. Me të gjitha llogaritë që bën Sali Berisha ka vetëm një rrugë të mbijetojë, të qeverisë në një vend gjysëm demokratik, me një sistem të konsoliduar korrupsioni, ku pushteti të diktojë zhvillimin ekonomik të vendit përmes kontrollit mbi pasuritë, dhe të vërë në konkurrencë dëshirat perëndimore të shqiptarëve me nevojën për mbijetesë ekonomike të qindra- mijëra të tjerëve. Me një medie tërësisht të kontrolluar, një pushtet gjyqësor të frikshëm për nga luajaliteti me pushtetin, me një Bankë Qendrore që funksionon si arkë kursimesh e Familjes dhe një mungesë të autoriteteve financiare në vend, Shqipëria po shkon natyrshëm në grupin e vendeve që kanë një skenar jo perëndimor zhvillimi. Kriza e presidentit dhe zgjedhja thuajse e sigurt e një Sali Berishe në krye të shtetit, i jep fund republikës aktuale dhe Shqipëria hyn dhe institucionalisht në listën e vendeve që kontrollohen nga pushteti personal i një Familjeje dhe që aspiratat e saj nuk janë më demokracia dhe Perëndimi. Kryeministri hungarez, i cili po tenton të bëjë ideologun e nacionalizmit të ri antiperëndimor në vendet ish- komuniste, në të vërtetë e ka më të vështirë se ata që e adhurojnë në ish- Lindjen komuniste. E ka më të vështirë pasi ai po tenton ti bëjë atentat demokracisë hungareze në një vend ku ende ka zgjedhje të lira. Nëse ai nuk prek zgjedhjet, do ta ketë të vështirë të mbijetojë. Ndërsa ata që e adhurojnë atë kanë mbaruar punë me zgjedhjet. Sali Berisha në Tiranë dhe homologët e tij në Ukrainë, Gjeorgji, Azerbajxhan, etj, i kanë larë duart me zgjedhjet e lira, me opozitën dhe shtypin e lirë. Ata duan doemos një lider nga vendet e Bashkimit Evropian që të ndërtojnë alibinë e ideologjisë së tyre të re. Kryeministri Orban ua plotëson këtë kusht. Dhe në mos mbijetoftë falë vlerave demokratike të Hungarisë, atyre u shërben qoftë dhe përkohësisht, qoftë dhe si opsion, qoftë dhe si shpresë se shembulli i tyre dikur do të ndiqet. Ata nuk kanë dëshirë ti bëjnë karshillëk Perëndimit, pasi nuk i ka askush në rend të ditës. Ata thjesht duan të qeverisin me një ideologji të re, që nuk është as komunizmi dhe as antikomunizmi, por një populizëm antiperëndimor që premton para në vend të vlerave të lirisë, që përpiqet të mbysë sakrificën e shoqërive të reja ish- komuniste për vlerat perëndimore me premtime për një zhvillim ekonomik bazuar tek pushteti i kontrolluar mbi ekonominë. Themelet e kësaj ideologjie janë hedhur në fillim të viteve 2000 në Moskë, kur në Kremlin hyri Vladimir Putin. Është ekzaktësisht ai model. Është ideologjia e re që vjen sërish nga Kremlini dhe që po përpiqet të ftohë entuziazmin e modelit perëndimor në vendet ish- komuniste. Dhe po ia arrin me liderët ish- antikomunistë që janë gati të bëjnë gjithçka për të mos ikur nga pushteti. Nuk është kurrsesi një karshillëk. Nuk është aq i thjeshtë. Është një kurs i ri, sfidues, shpesh i mbështetur dhe nga populizmi i turmave që janë lodhur nga varfëria dhe kaosi i demokracive të brishta. Është Internacionalja e re e Lindjes, e cila synon të na thotë se idealet e lirisë i kanë rrënjët në stomak. Është e vetmja formë qeverisje që nuk i ndëshkon ata që u bënë milionerë nga pushteti. Është ideologji regjimesh, jo shtetesh demokratike.
