Risia anglo-saksone djathtas
Trendi politik në Shqipëri parashikon rrokadë. Qoftë kjo më 2013 apo më shpejt sikurse bathët thonë, pritshmëri mbetet rikthimi në pushtet i opozitës, frymë kjo e ngjizuar qysh më 2009 që përtej meritës së saj (e diskutueshme me episode si Gërdeci, ndryshimi i Kushtetutës, transparencën elektorale) u zanafill prej vetë performancës së debatueshme dhe imazhit në zhbërje demokratik të mazhorancës që pa i mohuar arritjet, u konsumua shumë më shpejt seç pritej teksa turni i saj u asocijua me e Gërdecin, copyrightin e Rrugës së Kombit, Marrëveshjen antikushtetuese të Ujërave, ngecjen e integrimit Europian etj me kapak 21 janarin e përgjakur dhe 8 majin e fiaskos elektorale. Një mazhorancë kjo me datë skadimi të tejkaluar, që nëse gjetiu në perëndim, nuk do ti mbetej veçse të fokusohej në exit-in demokratik prej pushtetit si precedent dhe aset politik për të ardhmen.
Rilindja e së djathtës, rilindje kombëtare
Rilindja kombëtare, e shndërruar në refren në kampin e majtë, përtej debatit të realizmit të pritshmërive, nuk mund të ngjizet dhe materializohet pa një rilindje totale të politikës, pavarësisht krahut të saj. Ajo do të kompromentohej nëse përballë një të majte në pushtet, sado të emancipuar, do të ishte një e djathtë në ngërç demokratik. Shoqëria po ulëret për demokraci funksionale dhe ndërsa në kampin opozitar kjo po mbahet shënim me zell prej z. Rama në kryerjen e detyrave të shtëpisë, në kampin e djathtë sipari sapo ka filluar të ngrihet.
Në agoninë e reformave drejt BE, politika duhet të rinovohet dhe shoqëria sërisht ka shansin e madh të emancipojë vetveten duke promovuar politikën e re, pavarësisht spektrit të saj. Një e majtë dominuese në 2013, përballë një opozite të djathtë të marzhinalizuar dhe refraktare që humb shansin e reformimit, mund të provokojë konvertimin e së majtës në forcë po aq arrogante sa dhe e sotmja sot, gjë që veç përsërit historinë e zgjat agoninë e reformave. Rrjedhimisht dekurajimi i katarsis brënda së djathtës, nuk i shërben kërkujt, të majtës përfshirë por ndërsa kjo e fundit për inerci nuk promovon antinomin e saj, shoqëria nuk duhet të ngurrojë.
Topi tek lëvizja Topi
Indeksimi kritik i PD në bursën e politikës nuk duhet të perceptohet dhe shndërrohet kurrsesi në krizë potenciale të së djathtës. Për më tepër kur trajektorja e qeverisjes së PD ka dëshmuar një seri zig-zagesh përtej pritshmërive të një të djathte moderne. Misioni historik për një rilindje të së djathtës përmes një lëvizjeje të pritshme që simbolizohet me z. Topi (protagonizmi i pritshëm i të cilit do ishte aset me vlera unike sikurse vetë ai do të merrte shumë prej saj) dhe një sërë emrash spikatës dhe me integritet si z. Biberaj, z. Oketa, z. Mustafaj, z. Selami etj, i përket realisht një numri në rritje qytetarësh që besojnë se vëndi, përtej utopisë së deritanishme, ka nevojë për një të djathtë efektive të frymëzimit konservator anglo-sakson, identiteti i së cilës del përtej pozicionimit të thjeshtë joproduktiv, kondrapedal ndaj PD (sikurse ndodhi me parti të dala prej PD në të shkuarën).
Koha kërkon një të djathtë moderne që vendos realisht në qendër qytetarin e lirë në dinjitetin e tij dhe merr përsipër jo vetëm ridimensionimin e çështjes kombëtare, zgjidhjen e problemit kardinal të pronës, zbatimin strikt të ligjit, aplikimin e taksave stimuluese, marzhinalizimin e klientelizmit politik dhe mediokracisë në favor të meritokracisë, rivlerësimin dinjitoz të disidencës, punës dhe luftës së brezave, traditës dhe vlerave të kombit dhe familjes, konsolidimin e partnershipit eskluziv me miqtë anglo-saksonë por dhe përmirësimin e shërbimeve publike, garantimin e jetës dhe dinjitetit të qytetarit, shanset për të gjithë, luftën pa kompromis ndaj varfërisë e të tjera dimensione të tjera sociale tradicionalisht të konsideruara terren i së majtës.
Sikurse edhe platforma për rilindje kombëtare e PS dëshmon, e majta dhe e djathta sot nuk përbëjnë më alternativa përjashtuese por gjysma plotësuese që veç së bashku i japin kuptim dhe e bëjnë efektive të tërën teksa çdo qeveri duhet të flasë në emër të të gjithëve, pavarësisht elektoratit që e zgjedh atë. Përtej metafizikës dhe inercisë të së djathtës e të majtës historike, sot dallimet ideologjike janë zbehur me dallimin tashmë tek qasja më efektive për të kombinuar njëkohësisht në një të vetme politikat e nevojshme të majta dhe të djathta. Sepse kushdo është sa i majtë dhe i djathtë teksa respekton pronën, beson tek biznesi dhe sipërmarrja, pret shërbime efektive publike, ndjen ndaj njerëzve në nevojë dhe respekton dinjitetin e kujtdo.
E djathtë që frymëzon
E djathta e re duhet të mishërojë lirinë dhe dinjitetin në politikë dhe si e tillë nuk duhet të ketë qoftë komplekse rreth aleancave post-zgjedhore që bazohen në vlera demokratike, ashtu dhe nuk duhet të bjerë pre e sindromës së viktimizimit prej shantazhit të politikës së vjetër që përdor çdo mjet dhe alibi kundër saj. Sfida e së djathtës së re është sfida me vetveten për të afirmuar dhe konfirmuar respektin ndaj integritetit në politikë dhe përgjegjshmërinë ndaj interesave madhore të elektoratit duke u distancuar qartë prej inercisë së politikës klienteliste dhe perceptimit si garnizon sh.p.k. interesash individuale.
Përballë trashëgimisë së politikës së vjetër dhe boomerangut të sindromës Barabass ende në një pjesë të elektoratit (kur në emër të demokracisë u kryqëzua Jezusi dhe u la i lirë cubi(!), nëse zgjedhje të parakohshme apo rutinë 2013, rëndësi për të djathtën e re ka fitorja e imazhit demokratik dhe rikthimi i shpresës se kushdo që beson në vlera të mirëfillta konservatore, tashkë e ka një shtëpi. Për të djathtën e re, populizmi patetik dhe spekulativ i të djathtës dominuese të tranzicionit, nuk duhet të jetë as referencë për mbijetesë në politikë dhe as dekurajim për të konfirmuar në vijimësi apelin për integritet dhe shpresë në emër të vlerave superiore të demokracisë anglo-saksone.
E projektuar në vlera reale konservatore dhe me inkurajim në rritje prej vetë miqve anglo-sakson, e djathta e re do të jetë magnet i shumëpritur dhe unik për shumë syresh të rinj, intelektualë, të paangazhuar deri më sot, emigrantë etj, që kanë nderin dhe shansin të shprehin vetveten dhe të ndjehen të arrirë teksa u jepet mundësia të vënë tullën e tyre në këtë projekt madhor të denjë për vullnete dhe individë misionarë që përjetojnë tek vlerat e demokracisë anglo-saksone frymëzimin për të nesërmen. Sot sfida e së djathtës, është sfidë e të nesërmes ku askush nuk e ka luksin të jetë indiferent. Me të Djathtën e Re, gur prove për të gjithë, është koha për tu dukur.
