E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Karta blu”, çfarë përfitojnë emigrantët



“Karta blu” që u miratua pak ditë më parë nga Bashkimi Evropian, duket se ka një sërë lehtësish, por edhe problematikash për emigrantët shqiptarë dhe të gjithë ata që duan të emigrojnë. Kështu, ata që kanë leje qëndrimi në një nga vendet e BE-së do të mund të marrin “kartën blu” pa asnjë procedurë të vështirë, duke mundësuar që të udhëtojnë në gjitha vendet e bashkimit. Ndërkohë, kjo kartë do të vështirësojë emigrimin ilegal.

Përfitimet

Emigrantët shqiptarë që jetojnë prej vitesh në Greqi, Itali apo vendet e tjera të Bashkimit Evropian janë përfituesit e parë të kësaj risie në fushën e emigracionit. Ata, të cilat kanë kartat jeshile në shtetet e tyre, pra janë të legalizuar me leje qëndrimi, do të mund të marrin “kartën blu” pa pasur probleme, duke paraqitur vetëm dokumentet e nevojshme, pa pasur parakushte të tjera. Kjo do të mundësojë që qytetarët që do të pajisen me “kartën blu”, përfshi edhe emigrantët shqiptarë, të kenë mundësi të zhvendosen nga një shtet i BE-së në tjetrin, pa dokumente të tjera të nevojshme.

Ndërkohë, përveç përfitimeve, kjo metodë e vendosur tashmë nga Bashkimi Evropian, që pret thjesht të hyjë në fuqi, ka edhe një sërë ndëshkimesh për shkelje të mundshme. Në këtë mënyrë, me anë të “kartës blu”, askush nuk mund të punësohet pa paraqitur te pronari “kartën blu”, pra lejen e qëndrimit, si edhe nuk do të jepet shërbim shëndetësor pa këtë dokument. Këto masa janë marrë për të parandaluar emigrimin e paligjshëm.

“Karta blu”

Ideja e një sistemi të përbashkët emigrimi në vendet e BE-së është hedhur për herë të parë në vitet ‘80 nga kryekomisioneri i atëhershëm, Zhak Delor. Por, në modelin aktual është artikuluar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, në fillim të mandatit të saj. Emërtimi “Karta blu” (anglisht: “Blue Card”) është modeluar në bazë të “Kartës jeshile” amerikane (anglisht: “Green Card”), por duket se vetëm emërtimi është i përbashkët.

Kjo, pasi, nëse “Karta blu” kthehet në realitet, në vendet e BE-së do të hyjnë vetëm punëtorët e kualifikuar, pra ata që kanë një shkollë apo kurs të specializuar për profesionin e tyre. Ndërkohë që rëndësi do t’u jepet moshave që janë më të afta për punë, si edhe atyre që dinë gjuhën e vendit të BE-së që përcaktojnë si parësor për të emigruar. Tashmë që është strukturuar përfundimisht drafti nga ana e Komisionit Evropian dhe miratuar në Parlamentin Evropian dhe në mbledhjen e 27 ministrave përkatës të Këshillit të Bashkimit Evropian, pritet vetëm botimi i saj në fletoren zyrtare të BE-së.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›