Velipojë, u fut për t’u larë, mbytet 60-vjeçari
Një 60-vjeçar është mbytur ditën e djeshme në Velipojë. Sipas burimeve nga policia, i moshuari ishte futur për t’u larë në det, por më pas u gjet pa jetë nga familjarët dhe pushuesit e tjerë. Viktima është Rrok Koçaj, i cili kishte shkuar në këtë vend për të kaluar fundjavën. Viktima është nga fshati Grudë e Re e rrethit të Shkodrës. Sipas dëshmisë së dhënë nga familjarët, kur të gjithë janë bërë gati për të ngrënë drekën, Koçaj ka hyrë edhe një herë tjetër në ujë. Por minutat kanë kaluar dhe pjesëtarët e tjerë janë shqetësuar nga vonesa e tij. Ata kanë nisur nga kërkimet dhe e kanë gjetur më pas pa shenja jete. Me gjithë ndihmën e dhënë, çdo gjë ka qenë e kotë, pasi 60-vjeçari kishte humbur jetën.