E Shtunë, 31 Tetor 2026

Laç, arrestohet 31-vjeçari, akuzohet për vrasjen e një punonjësi të policisë



Forcat speciale RENEA arrestuan një 31-vjeçar, i akuzuar për vrasjen e një punonjësi të policisë në vitin 2002, si edhe i kërkuar nga drejtësia spanjolle për grabitje. I kërkuari Astrit Bushi u ndalua brenda në banesën e tij në qytetin e Laçit, pas operacionit “Arbusto”, të organizuar nga policia shqiptare dhe ajo spanjolle. Gjatë momentit të ndalimit, ai nuk bëri rezistencë, ndërkohë që iu sekuestrua edhe një pistoletë, si dhe një thikë, të cilat ai i mbante me vete. Ai u shoqërua në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës, për të vazhduar procedimin penal. Agjentët e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë kishin disa kohë që kishin nisur nga puna për arrestimin e 31-vjeçarit. Për këtë, kishin ardhur nga Spanja edhe punonjës të policisë të këtij shteti (Guarda Civil), të cilët kishin informacione në lidhje me vendndodhjen e të kërkuarit. Nga strukturat e Krimeve të Rënda në Departamentin e Hetimit të Krimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Forcat Speciale RENEA dhe forcat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Lezhë, u organizua operacioni “Arbusto”.

Rreth orës 09:20, forcat RENEA kanë rrethuar banesën e 31-vjeçarit në qytetin e Laçit. Pasi janë bërë gati, kanë hyrë me shpejtësi brenda ambienteve të shtëpisë, ku kanë kryer edhe arrestimin e të kërkuarit. Sipas burimeve zyrtare nga policia, ai nuk ka bërë rezistencë. Gjatë momentit të arrestimit, atij iu gjetën dhe iu sekuestruan një pistoletë model çek “Lucer”, kalibër 9mm, me një krehër me 14 fishekë, të cilën e mbante pa leje, si dhe materiale e sende të çmuara të vjedhura gjatë kohës së qëndrimit të tij në Spanjë. Për arrestimin e tij ka përshëndetur edhe ministri i Brendshëm spanjoll, si dhe është vlerësuar edhe policia shqiptare.

Sipas burimeve, Bushi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi akuzohej nga drejtësia spanjolle për veprën penale të vjedhjes me dhunë. Ndërsa në vendin tonë, ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi me vendimin nr. 56 datë, 25.04.2007, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin, është dënuar me 2 vjet e 6 muaj burg për veprat penale të “armëmbajtjes pa leje”, “falsifikim të dokumenteve” dhe “falsifikim të akteve të gjendjes civile”.

Ndaj këtij shtetasi, nga strukturat e hetimit të krimit do të rifillojnë hetimet dhe për disa vepra të tjera penale.

Ai akuzohet për vrasjen e një punonjësi policie, ndodhur në qytetin e Laçit në vitin 2002, si dhe për disa krime të tjera të rënda. Duke qenë në kërkim nga drejtësia shqiptare, 31-vjeçari kishte emigruar më pas në Spanjë. Por edhe aty, ai iu rikthye sërish “zakonit” të tij të vjetër. Bushi mori pjesë në një grabitje me dhunë, të ndodhur në këtë shtet. Ai më pas u largua për t’u shpallur në kërkim ndërkombëtar. Në një situatë të tillë, 31-vjeçari ishte rikthyer sërish në qytetin e tij, për t’u gjetur dhe arrestuar më pas nga forcat speciale.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›