Karta e studentit, një risi e administratës “Basha”!
Projekt ideja për realizimin e kartës së studentit është një risi për qeverisjen lokale në të gjithë këto vite tranzicion. Lulzim Basha duke qenë vetë një person që e vlerëson dhe e respekton statusin e studentit dhe pozicionin e studentëve në një shoqëri, që në fushatën elektorale e ka propozuar kartën e studentit në premtimet e tija elektorale. Me gjithë vështirësitë financiare dhe menaxheriale që ka realizimi i kësaj nisme sa humane aq edhe e perspektivës, për një administratë lokale, Basha ka sjellë një risi në trajtimin e kësaj shtrese shumë të rëndësishme për të ardhmen tonë si komb. Studentët në të gjithë botën e zhvilluar dhe të pazhvilluar kanë një rëndësi të veçantë, pasi janë e ardhmja e zhvillimit, e qytetit, në rastin tonë metropolit Tiranës dhe e të gjithë kombit. Shembulli i Bashës duhet të nxisë edhe kryetarët e bashkive të tjera të qyteteve të Shqipërisë që të marrin nisma të tilla, pavarësisht forcës politike, në favor të këtyre shtresave shumë potenciale të shoqërisë siç janë studentët. Karta e studentit është një hap përpara i administratës Basha në rikonceptimin e qeverisjes vendore dhe rrolit të saj në një shoqëri të zhvilluar. Krahas një seri nismash shumë pozitive të Bashës, sic është zhvillimi, plani urban i Tiranës, punësimi, karta e studentit bën pjesë në atë paketë e cila i takon burimeve njerëzore dhe intelektuale të një metropoli, që janë në nevojë dhe kërkojnë vëmendje të veçantë nga administrata lokale dhe qendrore.
Lehtësirat që ofron karta e studentit, për udhëtimin, institucionet kulturore, shërbimet të caktuara në planin njerëzorë, të duken në pamjen e parë të “parëndësishme”, por ato kanë rëndësi të madhe për studentët, për plotësimin e disa nevoja të përditshme të tyre që janë jetike dhe të domosdoshme. Shoqëria shqiptare në përgjithësi njerëzit e biznesit, krahas pushtetit lokal duhet të tregohen më humanë me studentët në nevojë. Shumica e tyre të rinjve kanë probleme për realizimin e studimit në planin material, për shkak të gjendjes ekonomike të prindërve, prandaj edhe projekti i Bashës për kartën e studentit merr vlera të mëdha materiale dhe humane.
Administrata e Bashkisë së Tiranës duke ju ofruar ndihmë dhe mbështetje studentëve, i drejton ato gjithashtu drejt institucioneve kulturore, larg jetës rutinë dhe të përditshmes e që ka nevojë për variacion dhe relaks nga studimi i përditshëm. Një mbështetje e tillë në planin human, material dhe shpirtërorë do të ndikojë edhe në arritjen e rezultateve të mira në procesin e studimit për studentët.
Nisma të tilla duhet të mbështeten nga media e cila i sensibilizon edhe partnerët e tjerë të shoqërisë që të reagojnë në këtë drejtim për mbështetjen e këtyre grupeve shoqërore shumë të rëndësishme për një qytet për një komb siç janë studentët. Nuk është logjike biles as politike që opozita nëpërmjet medias së saj, e konteston këtë nismë për qëllime të pastra politike dhe përpiqet të sjelli argumente pa bazë duke keqinformuar për këtë nismë. Tirana sot, krahas rëndësisë së saj si metropol ekonomik, politik dhe kulturorë i të gjithë shqiptarëve është edhe një qytet studentorë me universitetet publike dhe ato private që ka. Prandaj nisma e Bashës për kartën është një hap i menduar shumë mirë nga kryetari i bashkisë së kryeqytetit për mbështetjen e studentëve dhe përbën një risi për qeverisjen lokale.