E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të bashkuar në BE, realizojmë ëndrrën e luftëtarëve të lirisë

13-10-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha përuron shtatoren e Isa Boletinit në fshatin Isniq të Deçanit 

Në vijim të vizitës në Kosovë, Kryeministri Berisha shkoi në fshatin Isniq të Deçanit, ku në prani të autoriteteve më të larta të Kosovës, Presidentes Jahjaga dhe Kryeministrit Thaçi, u zhvillua ceremonia e vendosjes së shtatores së heroit Isa Boletini. Ngritja e shtatores në Isniq vjen si dëshmi e rrugëtimit që Isa Boletini, në udhëheqje të 300 luftëtarëve, nisi në 1912, për në Vlorë, për të qenë pjesë e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.
Kreu i qeverisë shqiptare vlerësoi heroizmit e Boletinit për pavarësinë e kombit, përpjekje të cilën u shndërrua në një nga emrat më të shquar të këtij kombi. Emiri dhe luftërat e tij mbushën faqet e shtypit në mbarë botën.
“Sot, ne inaugurojmë shtatoren e tij këtu, në Isniq, vendi që shërbeu për Isa Boletinin, si toka për Anteun, vendi, ku ai merrte fuqinë dhe frymëzimin në betejat e tij të mëdha për shqiptarët, për Shqipërinë, për Kosovën, për pavarësinë e tyre. Sot, me këtë akt, ne i kthejmë burrit të madh të kombit, një copëz të nderit të madh që ai la mbrapa për çdo shqiptar. Në kohën e tij, Isa Boletini u shndërrua në një nga emrat më të shquar të këtij kombi. Emiri dhe luftërat e tij mbushën faqet e shtypit në mbarë botën. Ne inaugurojmë këtë shtatore në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Por, me këtë rast, dua t’ju them dy fjalë. Shqipëria, pavarësinë e saj, kombi, ekzistencën e tij ia detyron para së gjithash e mbi të gjitha, përpjekjeve mbinjerëzore, luftërave titanike të shqiptarëve në Kosovë e në mbarë trojet shqiptare. Kur ndalesh e mendon se në ç’kushte luftuan këta burra, se kë kishin aleat, çdo gjë shkon përtej legjendës, përtej imagjinatës, përtej njerëzores. Ata u mblodhën 130 vjet më parë, kur bota po vendoste copëtimin përfundimtar të trojeve shqiptare, kur shqiptarët, kombin ndofta më të vjetër të Evropës, kombin më të madh të Ballkanit, territorin më të gjerë të gadishullit vendosën ta copëtojnë e ta bëjnë të paqenë. Ishte Prizreni, ishte Kosova, magneti i atdhetarisë që mblodhi shqiptarët nga të gjitha trojet, në frymëzim, në vendosmëri e në guxim për bashkim kombëtar. Po të mos ishte Lidhja e Prizrenit, shqiptarët do të copëtoheshin copë pas cope dhe nami i tyre në histori nuk do të gjendej më”, tha Berisha.
Duke sjellë në vëmendje se, pas Kongresit të Berlinit vazhdoi përpjekja për shuarjen e shqiptarëve si nocion politik dhe më pas asgjësimi i tyre tërësor.
“Por, tha kryeministri, kjo nuk ndodhi, sepse, pas Lidhjes së Prizrenit, ndodhi Besëlidhja e Pejës, sepse pas Besëlidhjes së Pejës, ishin Kuvendet e Junikut, ishin Kuvendet e Llukës dhe erdhën kryengritjet e mëdha që gjenerali i udhëhoqi me aq mjeshtëri, me Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Zefin e vogël e shumë e shumë burra e trima të tjerë shqiptarë. Ishin këto kryengritje që tronditën të sëmurin e Bosforit. Ishin këto kryengritje që i thanë Evropës e botës se trojet etnike shqiptare kanë zot. Pa kryengritjet e Kosovës, flamuri shqiptar do të kishte mbetur në bibliotekën e Albulenës, aty ku jetoi shekuj, pas vdekjes së Skënderbeut. Pavarësia u shpall në Vlorë dhe shqiptarët i mbetën përjetë mirënjohës burrit mendjendritur dhe vizionar, që bëri aktin më të rëndësishëm në historinë e këtij shekulli, ngriti flamurin e pavarësisë në Vlorë, themelin e shtetit shqiptar, në një vend pa kufij dhe në një kohë, kur nuk kishte pothuaj asnjë mbështetje. Gjenerali i kryengritjeve të pavarësisë do të marshonte drejt Vlorës, ndonëse e dinte mirë që Kosova nuk do të ishte pjesë e shtetit të ri shqiptar. Por shkoi atje për të çuar mesazhin se ne kurrë nuk dorëzohemi, se këtë betejë do ta vazhdojmë vit për vit, deri në triumfin plotë të çështjes shqiptare. U desh një shekull që shqiptarët të jenë të lirë sot, në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni e kudo që janë”, tha ai.
Kryeministri Berisha vlerësoi edhe luftën çlirimtare të Kosovës, duke u shprehur se kjo luftë kurorëzoi ëndrrën e të gjithë të rënëve të kombit, për lirinë e shqiptarëve. “Lufta çlirimtare e Kosovës është faqja më e ndritur e historisë sonë kombëtare, pas luftërave të Skënderbeu, sepse kjo luftë kurorëzoi ëndrrën e të gjithë të rënëve të kombit shqiptar, që u bënë të pavdekshëm, vetëm e vetëm që shqiptarët të jenë të lirë, të bashkuar dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre në dinjitet të plotë. Kjo luftë, si lufta çlirimtare e fundit në Kosovë, i bëri shqiptarët të lirë jo vetëm në Kosovë, por i bëri shqiptarët të lirë në Shqipëri, i bëri të lirë të gjithë ata që i thonë vetes shqiptarë, kudo që jetonin. Pa lirinë e Kosovës, asnjë qytetar shqiptar nuk mund të ndjehej i lirë”, theksoi kryeministri.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›