E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karta identiteti falas për jetimët

Shoqata Kombëtare e Jetimëve të Shqipërisë ka kërkuar dje nga ana e qeverisë që të shpërndajë karta identiteti falas për njërën nga kategoritë më të varfra dhe me kushte jetese më të vështira, në Shqipëri, për jetimët. Në të kundërt drejtuesit e kësaj shoqate kanë paralajmëruar se do të bojkotojnë zgjedhjet. "Jemi më të varfër se romët. Na jepni karta falas, ose përndryshe do të bojkotojmë zgjedhjet", u shprehën disa prej tyre. Jetimët shprehen se do të protestojnë për çmimin e kartave dhe se protestat e tyre nuk do të përqendrohen vetëm në Tiranë, por edhe në rrethe. Në Shqipëri numërohen 42 mijë jetimë, me të drejtë vote. Vetëm dy ditë më parë Kryeministri Sali Berisha premtoi se kategoria e romëve në vend do të përfitojë karta falas. Kreu i Shoqatës Kombëtare të Jetimëve të Shqipërisë, Kadri Alia, u shpreh se jetimët janë lënë në mëshirë të fatit, pa strehë, ose nëpër konvikte. Për ta nuk ofrohet punë, por vetëm një ndihmë ekonomike minimale, ndaj të paktën qeveria të mendojë dhe të vendosë që kartat e identitetit për këta 42 mijë votues t‘i shpërndajë falas. Dje në ambientet e kësaj shoqate ishin mbledhur edhe shumë persona që mbajnë statusin e jetimit dhe që banojnë në kryeqytet.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›