E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbi 25 mijë pensionistë, jashtë "rimbursimit"

Rreth 25 mijë pensionistë blejnë barna jashtë listës së rimbursimit. Këto janë ilaçe të shtrenjta dhe që kryesisht përdoren për të trajtuar sëmundjet kronike nga e cila vuan më tepër mosha e tretë. "Janë më shumë se 25 mijë pensionistë që blejnë barna jashtë rimbursimit. Janë kryesisht barna, që shërbejnë për trajtimin e sëmundjeve të tensionit, të problemeve shëndetësore kardiovaskulare, të diabetit, prostatës dhe të sëmundjeve të sistemit mendor", shprehet Isa Gorica, kryetari i Sindikatës së Pensionistëve. Sipas tij, këta 25 mijë pensionistë, veç problemeve të tjera, janë të detyruar që të blejnë ilaçe dhe medikamente të parimbursuara nga shteti.

Po ashtu, sipas llogaritjeve që ka bërë sindikata, rezulton se janë rreth 20 milionë euro në vit, që paguhen nga pensionistët në të gjithë vendin, vetëm për blerjen e ilaçeve.

Barna me listë

Një pjesë e mirë e këtyre 25 mijë pensionistëve, që blejnë ilaçe jashtë rimbursimit, kanë probleme të rënda ekonomike.

Pavarësisht se me to lehtësojnë dhembjen dhe mbajnë nën kontroll rrahjet e zemrës, me pensionin që ata marrin nuk mund të përballojnë edhe koston e ilaçeve të shtrenjta dhe bukën e përditshme. Ashtu sikundërse familjet e varfra blejnë bukë me listë, edhe pensionistët veç bukës, djathit apo ushqimeve, marrin me listë edhe ilaçet. "Janë kryesisht pensionistët në zonat periferike, të vetmuarit, ata që jetojnë me të ardhura nën minimumin jetik. Janë ata pensionistë, të cilët kryesisht janë me pensione minimale dhe nuk kanë asnjë lloj ndihme", u shpreh Gorica.

Sipas tij, janë tri pika kryesore problematike për sa u takon barnave të pensionistëve. Është problemi me cilësinë e barnave, me ato ilaçe që nuk janë pjesë e rimbursimit dhe për të cilat duhet të paguash dhe nga ana tjetër, blerja e tyre bëhet me listë...

Lista e barnave me rimbursim

"Në bazë të llogaritjeve që kemi bërë, ka një rritje të ilaçeve të parimbursueshme. Lista e 2008-ës është më e varfër sesa lista e vitit 2003 dhe pensionistët në raport me listën paguajnë 16 milionë dollarë në vit nga xhepi për të blerë ilaçet që i rimbursoheshin në atë kohë", sqaron Gorica. Sipas tij, sindikata mendon se edhe komisioni i ilaçeve dhe Bordi i ISKSH-së duhet të ketë një përfaqësi, duke qenë se pjesëtarë të sindikatës janë edhe mjekë, doktorë, profesorë. Sakaq, rritja e çmimit të euros do të ndikojë edhe në rritjen e kostos së listës së re të barnave me rimbursim. Pavarësisht se nuk dihet me saktësi nëse euro do të forcohet më tej, apo nëse leku do të vazhdojë të dobësohet, me tregun aktual valutor, për të përballuar listën e re të barnave do të duhet një fond edhe më i madh parash. Sipas një llogaritjeje, me vlerat aktuale të lekut dhe euros, duke pasur parasysh fondin prej 4.2 miliardë lekësh të reja, të ndara për listën e barnave, duhen të paktën 2.2 milionë euro për t‘i dhënë pacientëve të njëjtat barna me çmimet aktuale. Këto 2.2 milionë euro janë diferenca që duhet të paguajë shteti në këtë rast, për të përballuar një listë barnash me rimbursim, me medikamentet aktuale, me të njëjtat doza, me klauzola të pandryshueshme, të cilat rekomandojnë përdorimin e ilaçit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›