I ftohti, 80 fëmijë çdo ditë në urgjencë
Fluks urgjencash në pediatri e kardiologji. I ftohti i ditëve të fundit ka rritur ndjeshëm numrin e fëmijëve e të moshuarve që paraqiten në spital për të marrë asistencë mjekësore. Çdo ditë në urgjencën e pediatrisë paraqiten rreth 80 fëmijë, ndërsa te kardiologjia rreth 50 persona. Mjekët bëjnë apel që këto dy kategori të marrin vaksinën antigrip. "Deri në javën e parë të dhjetorit grupet në risk duhet të marrin vaksinën. Kjo për të shmangur prekjen nga gripi që pritet të shënojë rastet e para në javët në vijim", sqarojnë mjekët. Sipas kardiologëve, personat që vuajnë nga zemra duhet të shmangin sa më shumë daljet në të ftohtë. Gjithaq duhet të shmangin trajtimin me antibiotikë. Sa u përket fëmijëve, pjesa më e madhe e tyre paraqiten në urgjencën pediatrie me probleme të frymëmarrjes, temperaturë e rrufë. Por sipas bluzave të bardha nuk kanë munguar edhe rastet me bronkopneumoni. "Nuk duhet të lihen pas dore shenjat e para të virozëve apo gripit, pasi për t'i kuruar ato më pas do të duhet më shumë kohë", nënvizojnë mjekët. Për të shmangur të ftohtin, sipas tyre prindërit duhet t'i veshin trashë fëmijët e tyre, njësoj si për dimër.