Mësuesit e gjimnazit, tani me tituj
Jo më thjesht mësues, por duhet të fitojnë titullin "pedagogë" të shkollës së mesme. Kualifikimi nuk do t'u vlejë arsimtarëve thjesht për të përfituar shtesën e pagës, por edhe për t'u punësuar. Reforma më e re e nisur nga Ministria e Arsimit përcakton rregulla të reja për të gjithë stafin mësimdhënës në gjimnaze. Drafti ka nisur të hartohet nga specialistët e MASH. "Duhet që patjetër mësuesit, përveç diplomës së shkollës së lartë të kenë edhe kualifikime, sidomos mastera", nënvizojnë ekspertët. Sipas tyre, kushtet e reja pritet të përfundojnë brenda 2008 e të vihen në zbatim vitin që vjen. Specialistët sqarojnë se do të përgatisin maturantët, ata mësues që plotësojnë kriteret. "Në këtë mënyrë do të kenë një lloj statusi të veçantë dhe do të titullohen "pedagogë të shkollës së mesme", thonë ekspertët. Ndërkohë ata shtojnë se kualifikimet do të shërbejnë për të bërë edhe diferencimin e pagave të mësuesve. Përcaktimi i viteve ku do të japin mësim në bazë të kualifikimit që ka secili do të shoqërohet edhe me shtesë mbi pagë, në mënyrë që të justifikohet puna e secilit prej tyre. Drafti është ende në hapat e parë dhe specialistët po zhvillojnë takime, për të marrë të gjitha sugjerimet e duhura nga të gjitha grupet e interesit.