E Diel, 1 Nëntor 2026

AKKP: Kompensimi i pronarëve, lekët gati, bëni aplikimin

Autori i Lajmit: red.
Aplikimi për kompensim

Agjensia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka gati fondin për kompensimin financiar të ish pronarëve. Këta të fundit duhet të aplikojnë nëpërmjet plotësimit të formularëve përkatës për të përfituar nga fondi i kompensimit, të pronarëve, në të holla, për vitin 2009. “Në 3 vjet AKKP ka trajtuar 1461 kërkesa për kompensimin finanaciar, ka shpërndarë 1,3 miliardë lekë në formën e kompensimit financiar për 340 pronarë dhe është në prag të fillimit të procedurave ligjore të shpërndarjes së 600 milionë lekëve të akorduara nga qeveria për vitin 2009,” tha dje në një konferencë për shtyp kreu i AKKP-së Elvis Çefa.
Kompensimi
Sipas informacioneve ish-pronarët që nuk përfituan nga kompensimi financiar i vitit 2008 do të aplikojnë vetëm me një kërkesë të thjeshtë pranë zyrave të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Burime pranë këtij institucioni bëjnë të ditur se vendimi përkatës, hyn në fuqi pas tre ditësh dhe se procesi i regjistrimit/pranimit të kërkesave për kompensim fillon 5 ditë pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi dhe vazhdon për 30 ditë.
Fondi
Paraprakisht bëhet e ditur se në fondin që qeveria ka kaluar në dispozicion të AKKP-së, për vitin 2009 prej 600 milionë lekësh të reja, do të përfshihen për kompensim pikërisht ata persona që mbetën pa u shpërblyer, për arsye të ndryshme. Kjo agjenci, do të përfshijë këtë vit në proces rreth 600 persona që nuk u shpallën fitues vjet, por natyrisht procesi i aplikimit do të jetë i hapur edhe për të gjithë ata që nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e procesit të aplikimit për kompensim financiar. Tashmë me daljen e VKM-së përkatëse me procedurat e shpërndarjes së fondit të kompensimit financiar për vitin 2009, këta persona do të duhet të paraqesin në AKKP vetëm kërkesën dhe deklaratën me shkrim. Madje, ata nuk do të paguajnë as tarifën e përcaktuar. Në të njëjtën kohë, personat që kanë dokumentacion të mangët sa i përket hartografive, mund të paraqiten në çdo moment pranë kësaj agjencie me një kërkesë për saktësimin e hartave. Vetëm kështu ata mund të kenë mundësi që të riklasifikohen për t u trajtuar me kompensimin financiar të radhës.
Vendimi
Sipas vendimit Nr. 487, datë 6.5.2009 “Për përcaktimin e rregullave dhe të kritereve për shpërndarjen e fondit të kompensimit, të pronarëve, në të holla, për vitin 2009” si dhe vendimit Nr.200, datë 19.2.2009 “Për përcaktimin e kushteve dhe për procedurën e tjetërsimit të oborreve në përdorim” thuhet se; subjektet e shpronësuara, prona e të cilave është njohur e gjitha për kompensim, të kompensohen sipas radhës kronologjike, të përcaktuar nga numri dhe data e vendimit, vetëm nëse nuk kanë përfituar: nga kompensimet e mëparshme; kthim fizik të pjeshëm të pronës, me çdo vendim për atë subjekt; nga e drejta e parablerjes; nga zbatimi i ligjit nr.7501, datë 19.7.1991, “Për tokën”. Në rastin e vendimeve, të cilat janë ndryshuar pjesërisht, për efekt klasifikimi do të merret numri dhe data e vendimit bazë, që është më i hershëm në radhë kronologjike për njohjen, kthimin dhe kompensimin e asaj prone. AKKP njofton se kompensimi të bëhet vetëm për deri në 200 (dyqind) m2 të sipërfaqes truall, të caktuar për kompensim, në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës së miratuar, sipas vendndodhjes së pronës, që kompensohet. Subjektet, që kanë depozituar kërkesat e tyre në vitet 2006, 2007, 2008 dhe që vërtetojnë kryerjen e pagesës, nuk paguajnë tarifën e aplikimit për vitin 2009.
Aplikimi/Dokumentet
Procedura e kërkon që subjekti duhet të plotësojë dhe të paraqesë, pranë zyrës së AKKP-së në qendër, dokumentacionin.
a) Kërkesën për kompensim në të holla, sipas formularit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
b) Deklaratën për pranimin e kritereve për kompensim, sipas vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave, dhe të kushteve të tjera, që lidhen me kriteret, sipas formularit 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
c) Vendimin e Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ose të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, për njohjen dhe kompensimin e pronës, së bashku me planvendosjen përkatëse, të njehsuara nga institucioni, ku ato janë të arkivuara.
ç) Dëshminë e trashëgimisë;
d) Prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të subjektit të shpronësuar;
dh) Fotokopjen e noterizuar të dokumentit të identifikimit (letërnjoftim apo pasaportë) të përfaqësuesit të pajisur me prokurë;
e) Dokumentin, që vërteton vendbanimin, më 19.7.1991, të subjektit të shpronësuar;
ë) Mandatpagesën.
Kërkesat e 2008-ës
Në rastin e kërkesave të paraqitura pranë AKKP-së, në mbështetje të vendimit nr.1343, datë 4.6.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit të pronarëve, në të holla, për vitin 2008”, dhe për të cilat AKKP-ja nuk ka dhënë ende vendim, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, kërkuesit duhet të pohojnë vullnetin e tyre, nëpërmjet një kërkese të re, për kompensimin, të shoqëruar me dokumentet e parashikuara në pikën 6, të këtij vendimi. Subjektet, që kanë aplikuar për kompensimin në të holla, në vitin 2008, të paraqesin dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Kërkesën për kompensim financiar, sipas formularit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
b) Deklaratën për pranimin e kritereve për kompensim, sipas vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave, dhe të kushteve të tjera, që lidhen me kriteret, sipas formularit 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
c) Dëshminë e trashëgimisë, kur në dëshminë e paraqitur në vitin 2008 ka ndryshime të trashëgimtarëve të ligjshëm të subjektit të shpronësuar, sipas radhës së trashëgimtarëve, të përcaktuar në Kodin Civil.
ç) Prokurën e posaçme, nëse ajo e paraqitur në vitin 2008 ka kufizimin në kohë, për tagrin e tërheqjes së shumës në të holla, apo kur rrethi i trashëgimtarëve të subjektit të shpronësuar ka ndryshuar.
d) Dokumentin, që vërteton vendbanimin më datë 19.7.1991, të subjektit të shpronësuar, për personat, që nuk kanë vërtetimet e SAMT-ve në dosje. Zyra e AKKP-së në qendër, në bashkëpunim me zyrat rajonale, shqyrton dokumentacionin e subjekteve, që kërkojnë kompensim në të holla. Sipas procedurës procesi i regjistrimit/pranimit të kërkesave për kompensim fillon 5 ditë pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi dhe vazhdon për 30 ditë.

Oborret në përdorim, procedura e marrjes së tapisë

Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së Elvis Çefa, u bëri thirrje dje qytetarëve të cilët nuk janë juridikisht pronarë të oborreve rreth shtëpive të tyre që të bëjnë aplikimin. Të interesuarit duhet të paraqiten pa humbur kohë në zyrat rajonale të AKKP-së në qarqe për të formalizuar kërkesat e tyre për tjetërsim të këtyre sipërfaqeve nëpërmjet plotësimit të formularëve përkatës. Qytetarët që kanë oborre në përdorim mund të aplikojnë në çdo moment pranë agjencive rajonale të Kthimit të Pronave. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se procesi i aplikimit ka nisur pasi ka hyrë në fuqi vendimi i Këshillit të Ministrave për procedurat e njohjes së tyre. Pranë këtyre agjencive mund të gjendet formulari përkatës, të cilin e plotëson çdo qytetar i interesuar. Sipas procedurës, agjencia rajonale ka detyrim që brenda një afati prej 30 ditësh të marrë një vendim paraprak në lidhje me kërkesën e të interesuarve. Gjatë kësaj kohe, specialistët e zyrës rajonale të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave pranë çdo qarku marrin në shqyrtim të dhënat e deklaruara nga ana e qytetarëve që kërkojnë t u njihet oborri në përdorim. Vendimi, i cili është miratuar në shkurt të këtij viti, parashikon që Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si institucioni shtetëror ngarkohet me detyrën për të kaluar pronësinë në favor të personave privatë që kanë oborret në përdorim. Sipas këtij vendimi të qeverisë, të gjitha subjektet paraqesin kërkesën pranë zyrave rajonale në qarqe, duke përcaktuar mirë sipërfaqen e oborrit që ata kërkojnë të tjetërsohet e më pas e gjithë puna hetimore ose paraprake lidhur me caktimin sipërfaqes së pronësisë bëhet nga zyrat rajonale në qarqe brenda një afati 30-ditor. Por pas këtij vendimi paraprak, dosja përcillet në zyrën qendrore. Kjo e fundit brenda 10 ditëve nga data e mbërritjes së dosjes verifikon zbatimin e saktë të kërkesave të këtij vendimi nga zyra rajonale e AKKP-së, në bazë të akteve të mbledhura në dosje dhe pa kryer vetë veprime verifikuese. Më pas njoftohet aplikuesi, i cili duhet të paguajë faturën përkatëse. Ndërsa drejtori i përgjithshëm i AKKP-së vendos kalimin e pronësisë së oborrit në përdorim brenda 10 ditëve nga data e mbërritjes së mandatit që vërteton pagimin e vlerës, në rastin e tjetërsimit me kundërshpërblim. Mund të aplikojnë ato subjekte që kanë një ndërtim të ligjshëm brenda sipërfaqeve të truallit, ndërtim i ngritur para datës 10 gusht 1991. Ky vendim do të trajtojë rastet kur sipërfaqja duhet të jetë me pronësinë shtet.

II. Kushtet

1. Oborret në përdorim tjetërsohen sipas këtij vendimi nëse:

a) Brenda tyre ose në lidhje funksionale me to gjendet ndërtim:

- i regjistruar në regjistrat e ZRPP-së në pronësi të kërkuesit;

- i ngritur para datës 10.08.1991.

b) Janë në pronësi të shtetit, ndonëse të paregjistruara si të tilla, por të patransferuara në inventarin e pronave të organeve të qeverisjes vendore, në përputhje me ligjin nr. 8744, datë 22.02.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar.

2. Oborret në përdorim tjetërsohen sipas këtij vendimi:

a) Pa kundërshpërblim, në rastin kur e drejta e pronësisë mbi këto sipërfaqe është hequr pa kompensim për shkak të ligjeve të kohës.

b) Me kundërshpërblim, në rastet e tjera. Në këto raste çmimi do të përcaktohet me vlera përkatëse të përcaktuara në vendim.

3. Oborret në përdorim që do të tjetërsohen sipas këtij vendimi, nuk duhet të kenë qenë më parë objekt kthimi nga AKKP-ja ose ish-komisionet vendore për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave.

4. Sipas këtij vendimi, nuk janë objekt shqyrtimi nga AKKP-ja oborret në përdorim brenda të cilave ose në lidhje funksionale me to gjendet ndërtim informal. Ato do të trajtohen në përputhje me aktet ligjore e nënligjore në fuqi.
Ky lajm është publikuar: 29/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›