E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentet, një i vdekur dhe tre të plagosur në Tiranë



Një person ka humbur jetën dhe tre të tjerë janë plagosur, si pasojë e tre aksidenteve të ndryshme të ndodhura brenda 24 orëve të fundit në Tiranë. Sipas burimeve zyrtare të policisë, Marjeta Jashari ka humbur jetën, ndërsa vëllai i saj është plagosur, pasi janë përplasur nga një makinë betoniere. Ndërkohë, po dje, një makinë e Gjykatës Kushtetuese ka përplasur Kujtim Çelën, i cili ishte duke lëvizur me motor, duke e plagosur rëndë atë. Dhe, këtyre dy aksidenteve i është shtuar edhe një i tretë, ku 18-vjeçari Arben Rama ndodhet në gjendje të vështirë shëndetësore, pasi është goditur teksa po ecte në këmbë nga një automjet. Ngjarjet aksidentale kanë pasur njëra-tjetrën. E para është shënuar ajo e ndodhur dje në bulevardin “Bajram Curri”, ku një makinë betoniere ka përplasur një motor tip “Scuter”, në të cilën ndodheshin dy persona. Për pasojë, ka humbur jetën Marjeta Jashari dhe është plagosur vëllai i saj, Dilaver Jashari. Me gjithë ndihmën e dhënë ndaj tyre, sipas burimeve policore, goditja ka qenë e fortë për gruan, ndërsa i vëllai është transportuar menjëherë në spital, për t’iu nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale. Në vendngjarje ka shkuar edhe policia, e cila mori dëshmitë e para në lidhje me këtë ngjarje dhe bëri ekspertimin e vendit dhe mjeteve. Ajo më pas ndaloi edhe shoferin e betonieres, ndërkohë që ka nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit. Ngjarja e dytë ka ndodhur rreth orës 14.00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë Kryeministrisë, kur një makinë e Gjykatës Kushtetuese tip “Wolsvagen Bora”, me targa TR 0228 Z ka përplasur një person, i cili po ecte me një motor. Mjeti kishte dalë nga rrugica, nga ana e pasme e kryesisë së Kuvendit Popullor ku ndodhet dhe godina e Gjykatës Kushtetuese, dhe po përpiqej që të kthehej majtas, në kundërshtim me rregullat e qarkullimit rrugor për të marrë korsinë e kundërt të rrugës në drejtim të “Sheshit Skënderbej”. Por, në ato momente, drejtuesi i motorit nuk kishte arritur që të devijonte, duke shkaktuar kështu aksidentin. Për këtë shtetas, përkatësisht Kujtim Çelën, është dhënë ndihma e parë, duke e transportuar me urgjencë për në spital. Burime nga spitali bëjnë të ditur se ai ndodhet në gjendje të vështirë për jetën, pas goditjes së marrë si pasojë e përplasjes. Ndërsa arrestimi i tretë ka ardhur si pasojë e një aksidenti të ndodhur dy ditë më parë në Sauk. Sipas burimeve policore, dje u vu në pranga shtetasi Fatos Çufaj. Ndalimi i 40-vjeçarit të lindur në Shkodër dhe banues në Irlandë u bë rreth orës 14:00, pasi ai, duke drejtuar automjetin e tij tip - fuoristrada “Benz 270 ML”, me targa SH 4349 E, në “Sauk të Ri”, pranë një karburanti, ka aksidentuar këmbësorin 18-vjeçar Arben Rama. 18-vjeçari është aksidentuar teksa po ecte anës rrugës dhe është dërguar në Spitalin Ushtarak Tiranë në gjendje të rëndë shëndetësore. U kryen veprimet hetimore dhe procedurale, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës, ku Çufaj akuzohet për konsumim të veprës penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”.

Detaje

3 aksidente janë shënuar gjatë 24 orëve të fundit në kryeqytet, nga ku për pasojë ka humbur jetën një grua dhe janë plagosur 3 të tjerë

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›