Kartat, PS, Gjiknuri: Qeveria shkeli kontratën
TIRANE- Partia Socialiste akuzon qeverinë se ka shkelur cdo afat kontraktor në lidhje me ngritjen e sistemit të aplikimit dhe shpërndarjes së kartave. Sipas partisë më të madhe në opozitë sistemi i aplikimit nuk është ngritur në të gjithë vendin sic ishte parashikuar në kontratë.
Damian Gjiknuri, nënsekretar për ligjet në Partinë Socialiste tha sot për gazetarët se “Prodhimi i parë i kartës së ID duhej të ishte bërë 4 muaj nga lidhja e kontratës pra në 20 dhjetor 2008, ndërkohë që ky prodhim u realizua vetëm në 10 shkurt 2009”. Sipas socialistit Gjiknuri qeveria nuk ka përdorur asnjë nga 100 stacionet e lëvizshme aplikimi që ishin parashikuar në dokumentin e tenderit duke ndikuar direkt mbi situatën.
Duke iu referuar shifrave zyrtare të Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë nënsekretari ligjor i PS-së tha se rreth 730 mijë shtetas me të drejtë vote nuk disponojnë as kartë identiteti dhe as pasaportë, të vetmet mjete identifiki për të votuar. “Një masë e tillë zgjedhësish përbën mbi 25 % të zgjedhësve të mundshëm, shifër kjo e konsiderueshme për cdo rezultat zgjedhor”- tha Gjiknuri duke shtuar se deri në këtë moment vetëm 100 mijë shtetas pa pasaportë kanë aplikuar për karta.
PS mbështet skemën incentive për karta falas për një kategori të caktuar në mënyrë që të mos rrezikoheshin zgjedhjet në vend, dhe akuzon qeverinë, se “po harxhon miliona euro për reklama elektorale dhe nuk ka para për fushatën e sensibilizimit për aplikim”.
Gjiknuri duke paraqitur shifra konkrete sqaroi se propozimi i PS-së i kushton shtetit jo më shumë se 6 milionë euro të cilat mund të vijnë nga vlerat e përfituara nga kontrata.
“Publiku duhet të dijë që vlera e kësaj kontrate është reth 200 milion euro e cila paguhet me detyrim nga shtetasit shqiptar. Shteti përfiton në mënyrë direkte nga kjo kontratë 5% të vlerës së kontratës pa TVSH pra reth 8 milion euro, si dhe TVSH-në e 3.5 milion pasaportave, pra 35 milion euro, me një total 43 milion euro. Propozimi ynë nuk i kushton shtetit më shumë se 6 milion euro të cilat mund të vijnë nga vlerat e përfituara më lartë”.
Sipas nënsekretarit socialist të ligjeve nga mos zbatimi i kontratës deri më tani janë shkaktuar dëme në formën e penaliteteve që vijnë nga kontrata rreth 500 mijë euro.
“200 mijë euro nga mos prodhimi në kohë e i kartës së ID. 300 mijë euro nga mos shtrirja e stacioneve të aplikimit të cilat janë hapur 3 muaj me vonesë”.- tha Gjiknuri duke shtuar se kontrata ka edhe një sërë shkeljesh të tjera të cilat do të bëhen publike më vonë.
Partia Socialiste e cilëson situatën si “kritike” dhe i bën thirrje Ministrisë së Brendshme të ushtrojë kujdesin e duhur në përmbushjen e cdo detyrimi ligjor dhe kontraktor, në të kundërt me mosveprimet e saj është bashkëfajtore duke bërë që të shtohet dyshimi se shkeljet në kontratë dhe në tender, ose kanë sfond korruptiv ose kanë qëllime politike.
(s.g/BalkanWeb)