Maskat grabisin me kova syzet optike
SARANDE / SHPRESA DINE
Maskat grabisin nën kamerat e sigurisë klinikën e sapoinauguruar të optikës në Sarandë. Me kova në duar, tre autorët kanë mundur që të mbledhin syzet firmato, me vlerë rreth 30 mijë euro.
“Më vodhën dyqanin, sikur të vidhnin mollët nga pema”. Kështu është shprehur një nga bashkëpronarët e qendrës tregtare dhe diagnostikuese “OPTIKA”, e cila ndodhet në katin e parë të pallatit 15-katësh në lagjen nr.2 të qytetit të Sarandës.
Ngjarja mësohet të ketë ndodhur rreth orës 02:18 të ditës së djeshme. Ka qenë pronari shqiptar Astrit Xhallari, i cili, i njoftuar nga banorë të lagjes, ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, duke gjetur portën e qendrës të thyer dhe gjithçka brenda rrëmujë. Menjëherë pas alarmit mbërritën në vendngjarje dhjetëra efektivë të Komisariatit të Policisë së Rendit Sarandë, të njoftuar nga Xhallari, të cilët kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes. Ata kanë sekuestruar një CD me pamje filmike të regjistruara nga telekamerat e qendrës “OPTIKA”, ku duken qartë tre shtetas, të cilët kryenin vjedhjen. Nga pamjet e regjistruara duket qartë edhe skenari i vjedhjes, i cili sipas Astrit Xhallarit, është i mirorganizuar, ndërsa tre keqbërësit janë profesionistë.
Fillimisht, tre shtetasit, me një mjet të hollë, kanë bërë hapjen e portës kryesore prej xhami të qendrës. Pasi ia kanë arritur qëllimit, e kanë shtyrë atë dhe janë larguar për pak metra më tej, duke bërë rolin e “vëzhguesit”, nëse do të binte ndonjë sinjal alarmi apo jo. Kur kanë konstatuar se një gjë e tillë nuk ka ndodhur kanë hyrë furishëm brenda qendrës “OPTIKA”. Ata janë ndarë në tre vende të ndryshme të rafteve me syze të shtrenjta dhe i kanë hedhur ato në nga një kovë që mbanin në duar, deri sa ato janë mbushur plot, e më pas janë larguar të qetë. Ekspertët e policisë, por edhe pronarët e qendrës kanë këqyrur me imtësi pamjet filmike, nga ku dallohen qartë se autorët janë tre shtetas, të veshur me pantallona të gjata dhe bluzë me mëngë të shkurtra. Fatkeqësisht është e vështirë të bëhet i mundur identifikimi i tyre, për shkak se që të tre autorët ishin të maskuar në fytyrë dhe me nga një kapele në kokë, ndërkohë që duart i kishin mbuluar me dorashka. Një gjurmë e një dorashke të trashë, ndodhet ende e fiksuar në xhamin e një pjese të portës së shqyer nga grabitësit, ndërkohë që edhe ajo, është regjistruar në cilësinë e provës materiale nga ekspertët e policisë kriminale. Qendra “OPTIKA”, është inauguruar një javë më parë dhe ka si bashkëpronarë një shtetas grek dhe një shqiptar, Astrit Xhallarin dhe Theodhoros Ksandhinidhin. Sipas pronarëve, dëmi i vjedhjes llogaritet në 30 mijë euro, pasi malli i vjedhur është i blerë në dyqan të shtrenjta.
Burime konfidenciale bëjnë të ditur se në orët e para të mëngjesit të së hënës, veç vjedhjes së qendrës “OPTIKA”, janë shënuar edhe të paktën 4 vjedhje të tjera, edhe këto ende të pazbuluara. Ndërkohë, ditë më parë, hajdutët kanë arritur të vjedhin disa biznese të tjera, në të cilat janë grabitur me thyerje, në dy raste të ndryshme, dy televizorë të njëjtë plazma 42 polesh, me vlerë nga 1000-2500 euro, në një rast tjetër është grabitur motori i pronarit të një hoteli. Burime nga Komisariati i Policisë së Sarandës pohojnë se në lidhje me vjedhjet e kryera në qytet kanë nisur hetimet për këto çështje, ndonëse nuk ka asnjë shtetas të identifikuar apo arrestuar. Megjithatë, nuk bëhet e ditur nëse dyshimet janë hedhur në grupin e grabitësve me maska apo në individë a grupe të ndryshme grabitësish që veprojnë në qytetin e Sarandës.