E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat, PS-ja, protestë te Presidenti dhe OSBE-ODHIR-i



Asambleja e Partisë Socialiste e komunës Greshicë në Mallakastër i dërgon letër-protestë kreut të shtetit, Bamir Topi, OSBE-ODIHR-it dhe Ambasadës Amerikane në Tiranë. Kryetari i kësaj asambleje i drejtohet Presidentit dhe organizmave të huaja ku i njeh me faktin se deri sot në këtë komunë nuk janë hapur zyrat për aplikimin e shtetasve për kartat e identitetit. Kryetari Bibil Veliaj shkruan se ka bindjen e plotë që ky veprim bëhet në mënyrë të qëllimshme nga ana e qeverisë, në kushtet kur dihet që elektorati i kësaj njësie administrative ka votuar masivisht forcën e majtë. Denoncimi shkon më tej duke u shprehur se veprimi bëhet në vazhdën e përpjekjeve të qeverisë për manipulimin e rezultatit të zgjedhjeve. Asambleja e Partisë Socialiste e komunës Greshicë në Mallakastër kërkon ndërhyrjen me qëllim hapjen e zyrës për aplikimin e kartave brenda javës, duke kërcënuar në të kundërt me përshkallëzim të protestës deri në bllokimin e rrugës nacionale Ballsh-Tepelenë.

11 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›