Leskaj: PS-ja, plan për të mbyllur hendekun mes fshatit dhe qytetit
Kryetarja e Grupit Parlamentar Socialist, Valentina Leskaj, premtoi nga Mollasi i Elbasanit heqjen e akcizës së naftës për bujqësinë. Leskaj deklaroi se mungesa e shtetit ka çuar edhe në rrënimin e bujqësisë, ku banorët e kanë të pamundur të prodhojnë dhe më pas t’i nxjerrin në treg prodhimet e tyre. Sipas saj, në rast fitoreje të së majtës në zgjedhjet e qershorit, PS-ja ka gati një plan të detajuar. Leskaj u shpreh se plani i PS-së do ta ndihmojë fshatin me politika lehtësuese, siç është heqja e akcizës së naftës apo mundësia për t’i nxjerr produktet në treg, çka do të sjellë edhe uljen e çmimeve në qytet. Kryetarja e Grupit të PS-së tha se hendeku mes fshatit dhe qytetit është thelluar. “Ne jemi këtu si Parti Socialiste, me një program shumë serioz që ta mbyllim këtë hendek, jemi këtu që me programin tonë t’i japim fshatit jetën dhe dinjitetin që meriton, të rinjve të fshatit perspektivën që meriton dhe jo shpresën e humbur”, - u shpreh Leskaj.
PS-ja: Berisha i ka thyer shkollat në kazerma rekrutimi për mitingje
Kryetarja e Komisionit të Edukimit në Asamblenë Kombëtare të PS-së, Ledi Shamku, e akuzoi kryeministrin Berisha se po i heq fëmijët nga sholla për t’i përdorur për mitingje. Shamku deklaroi nga Belshi se fenomeni i përdorimit të nxënësve për arsye elektorale po shndërrohet në një dukuri të pazakontë për të gjitha shkollat e vendit. Ajo u shpreh se kryeministri ka cenuar të drejtën e nxënësve për pushim. Shamku deklaroi se shkolla po shërben si pikë mbledhjeje dhe detyrimi për t’i dërguar fëmijët dhe mësuesit në mitingje. “Kjo politikë kaq e mbrapshtë që zgjat prej shumë kohësh, pavarësisht denoncimeve tona, të shoqërisë civile, të avokatit të popullit dhe mediave të lira i ka kthyer shkollat fatkeqësisht në kazerma rekrutimi”, - u deklaroi Shamku. Kryetarja e Komisionit të Edukimit në Asamblenë Kombëtare të PS-së e quajti dhunë primitive dhe tha se kjo politikë në arsim do të marrë fund më 28 qershor.
11 Maj 2009