E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet në Shqipëri, Anglia angazhohet maksimalisht për monitorimin e procesit



Shaban Sulçe
Britania e Madhe do të luajë një rol kryesor në monitorimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit në Shqipëri. Diplomacia anglezë është shfaqur mjaft e interesuar që procesi zgjedhor në vendin tonë të zhvillohet sipas standardeve dhe për këtë arsye pala britanike pritet të jetë mjaft e angazhuar në monitorimin nga afër të zgjedhjeve në Shqipëri. Ky angazhim dhe interesim i palës britanike është dukur edhe në faktin se misioni i vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it në Shqipëri kryesohet nga ambasadorja angleze, Audrye Glover. Por ky nuk është i vetmi detaj. Një rol mjaft pozitiv dhe angazhim serioz për të kontribuar në monitorimin e procesit zgjedhor po luan edhe deputeti i mirënjohur britanik. Toni Lloyd, i cili është edhe kryetari i delegacionit të deputetëve britanikë në Asamblenë e Përgjithshme të OSBE-së. Lloyd është një njohës mjaft i mirë i Ballkanit dhe gjatë takimeve që ka pasur me përfaqësues të opozitës shqiptare ka shprehur interesimin e tij që zgjedhjet në Shqipëri të zhvillohen sipas standardeve. Gjithashtu, në krye të Ambasadës së Britanisë së Madhe në Shqipëri pritet të emërohet në fund të këtij muaji Fiona Mekllëham, e cila gjithashtu është një njohëse e mirë e rajonit të Ballkanit dhe pritet të luajë rol të rëndësishëm gjatë monitorimit të procesit.
Por, burime diplomatike bëjnë të ditur për gazetën “Albania” se një numër i konsiderueshëm deputetësh britanikë, laburistë dhe konservatorë, pritet që të vizitojnë Shqipërinë si gjatë periudhës parazgjedhore, ashtu dhe gjatë procesit zgjedhor të 28 qershorit. Deputetët britanikë do të monitorojnë nga afër këtë proces.

Glover
Dy ditë më parë delegacioni i vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it kanë dhënë konferencën e tyre të parë për shtyp në lidhje me procesin zgjedhor të 28 qershorit në Shqipëri. Ky delegacion kryesohet nga ambasadorja britanike Audrey Glover, e cila në deklaratën e saj i këshilloi autoritetet shqiptare që të zhvillojnë zgjedhje të lira dhe me standarde. “Realizimi i zgjedhjeve sipas standardeve është kusht i fortë ndërkombëtar për Shqipërinë. Të gjithë duhet të kuptojnë se sa të rëndësishme janë këto zgjedhje. Shpresojmë që ato hapa para që u bënë në zgjedhjet e kaluara të konsolidohen më tej”, - tha Glover. 400 vëzhgues afatshkurtër të OSBE-ODIHR-it do të vijnë për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri. Ata do të monitorojnë nga afër procesin zgjedhor dhe atë të numërimit të votave. Ndërkohë që 26 vëzhgues afatgjatë janë “pozicionuar” në vendin tonë.

Opozita

Duket se vizita e përfaqësuesve të opozitës shqiptarë në drejtim të Londrës kanë rezultuar produktive. Përfaqësuesit e opozitës shqiptare në mënyrë të vazhdueshme i kanë shprehur shqetësimet faktorit ndërkombëtar për rrezikun që u kanoset zgjedhjeve, shqetësime të cilat kanë gjetur mbështetjen në radhët e faktorit anglez. Gjatë një vizite të zhvilluar në muajin mars në Londër, kreu i LSI-së, Ilir Meta, është takuar me personalitete të rëndësishme të politikës angleze si Stjuart Udds, këshilltar për politikën e jashtme i kryeministrit Gordon Braun, me Karolin Flint, e cila është ministre për Europën e Britanisë së Madhe, si dhe me Majk Gejps, i cili është kryetari i Komisionit të Jashtëm në Parlamentin britanik. Në këto takime është vënë theksi te zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri, për të cilat janë shumë të rëndësishme që të zhvillohen sipas standardeve.

11 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›