Meta: “Zgjedhjet sipas standardeve, përcaktuese për ndërtimin e Shqipërisë evropiane”
Lideri i LSI-së, Ilir Meta, ka zhvilluar dje një takim me qindra të rinj dhe të reja në Pallatin e Sportit të qytetit të Divjakës, në rrethin e Lushnjës. Gjatë fjalës së tij në këtë takim, Meta u ndal në rëndësinë e zgjedhjeve të 28 qershorit. Ai u bëri thirrje të rinjve që të marrin pjesë në këto zgjedhje, të cilat kanë një rëndësi shumë të veçantë, pasi do të jenë përcaktuese për ndërtimin e Shqipërisë europiane. “Unë ju ftoj të gjithëve që më 28 qershor t’u themi të rinjve të Shqipërisë se në radhë të parë ‘Koha për veprim’ do të thotë koha për rininë, është momenti që ajo të marrë një rol më të madh dhe vendimtar për ndërtimin e Shqipërisë europiane, pikërisht këtu në Divjakë dhe në të gjithë Shqipërinë, sepse vendi ynë i ka të gjitha mundësitë të jetë një vend europian, që shqiptarët të punojnë tokat e tyre këtu dhe jo jashtë, që shqiptarët të punojnë në bregdetin e tyre dhe jo në bregdetet e të tjerëve. Është koha për veprim, është koha për rininë dhe është koha për Shqipërinë”, - tha kreu i LSI-së, Ilir Meta. Ai tha se LSI-ja është forca politike që mendon dhe punon më shumë për të krijuar mundësi të pafundme për të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë. “Ndaj, është koha për veprim, sepse rinia kërkon mundësi më të mira për t’u shkolluar, është koha për veprim sepse sistemi ynë arsimor duhet reformuar dhe orientuar drejt tregut të punës, sistemi ynë i përgjithshëm duhet t’i lërë vend gjithnjë e më shumë arsimit profesional, sepse kemi nevojë të zhvillojmë një sistem arsimor në funksion të punësimit, në funksion të realizimit të mundësive për të ndërtuar një jetë bazuar në punë e mbi të gjitha në një punë, e cila, gjithashtu, bazohet në resurset e vendit”, - vijoi ai. Meta tha se LSI-ja ka një plan mjaft të qartë për hapjen e 100 mijë vendeve të reja të punës.
11 Maj 2009