E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet e qershorit, monitorim nga të huajt, si në vitin 1997

Speciale/ Si janë vëzhguar proceset zgjedhore që nga viti 1996. OSBE/ODIHR rrisin praninë e tyre në vëzhgimin e procesit

Albert Gjoka
Zgjedhjet që pritet të zhvillojnë pas pak javësh do të vëzhgohen nga OSBE/ODIHR në të njëjtat nivele dhe masa si në vitin e mbrapsht të 1997-s. Duket se frika e manipulimeve dhe parregullsive ka detyruar organizatën me qendër në Vjenë ti kushtojë rëndësi maksimale këtij procesi. Shifrat tregojnë se nuk ka ulje krahasuar me zgjedhjet vendore të 17 shkurtit të vitit 2007; madje, ka shtim në disa aspekte. Në këtë aspekt, Shqipëria, si vend anëtar i OSBE-së, e cila pretendon prej shumë vitesh që të dalë nga skema e monitorimit, ende mbetet me standarde të ulëta demokratike për organizatat dhe institucionet ndërkombëtare. Zgjedhjet me më pak vëzhgues kanë qenë ato të Majit të vitit 1996, dhe dihet se çfarë ndodhi, si dhe vendoret e vitit 2000, me një numër në total prej 150 monitoruesish.
Frika
Të huajt nuk kanë ende besim tek institucionet shqiptare në organizimin e proceseve zgjedhore, si një ndër parametrat bazë të demokracisë së një vend. Kjo duket në shifrat që ofron vetë Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Europian (OSBE), e cila ndodhet prej më shumë 12 vjetësh në Shqipëri. Masat dhe numri i vëzhguesve, edhe për procesin e 28 qershorit 2009, nuk ka shënuar ulje, përkundrazi; Shkalla e vëzhgimit ka mbetur në të njëjtat nivele me ato të vitit 2005, kohë në të cilën të organizatat ndwrkombwtare ishin shprehur të frikësuar për standardet demokratike dhe zgjedhore që kishte vendosur në qeverisja Nano. Duke u bazuar shifrave të publikuar në faqen zyrtare të OSBE/ODIHR, kësaj radhe procesit do ti kushtohet shumë rëndësi edhe në fazën paraprake. Stafi i misionit vëzhgues tw tanishëm që do të drejtohet nga zonja Endrju Glover, do të përbëhet nga 14 persona, ndërsa vëzhguesit afatgjatë, që do të ndjekin hap pas hapi përgatitjet deri në ditën e votimit, janë 26 të tillë. Po ashtu, më 28 qershor, do të zbarkojnë në Tiranë edhe 400 vëzhgues të tjerë nga vende të ndryshme, që janë anëtarë të OSBE-së, duke monitoruar në një shkallë të gjerë të gjithë procesin, që nga votimi, numërimi, shpallja e rezultateve apo edhe apelimi nga kandidatë të ndryshëm. Shqetësimi më i madh i ndërkombëtarëve lidhet me pajisjen e qytetarëve me dokumentet e identitetit me të cilat votohet. Po ashtu, problem përbëjnë edhe infrastruktura për monitorimin e procesit të zgjedhjeve, roli i policisë apo medias gjatë gjithë kohës, etj..
Statistikat
Viti që ka shënuar numrin më të lartë të vëzhguesve të huaj që kanë zbarkuar në Shqipëri, padyshim mbetet 1997-a. Atëherë vendi kishte dalë nga kolapsi dhe përplasjet e brendshme dhe ndërkombëtarët vendosën praninë e OSBE-së për të monitoruar standardet demokratike. Mbi 475 persona, nga vende të ndryshme të botës ndoqën nga afër procesin dhe votimet e 29 qershorit. Më pas, në vendin e dytë për nga shkalla e monitorimit, janë zgjedhjet e vitit 2005. Para, por edhe gjatë 3 korrikut, si dhe më pas, ishin të pranishëm përveç, misionit vëzhgues dhe ekipit afatgjatë, edhe 408 vëzhgues afatshkurtër. Në historinë e monitorimeve, numrin më të ulët të pranisë së të huajve, e ka regjistruar viti 1996, e pikërisht zgjedhjet vendore të 1 tetorit, që arritën me një numër prej 50 të huajsh. Ndërsa pas vitit 1997, zgjedhjet vendore të tetorit të vitit 2000 shënojnë numrin më të ulët.
Gazeta ka nxjerrë nga arkiva e informacionit të OSBE-së për monitorimet e proceseve zgjedhore të dhënat e plota për shkallën e monitorimit dhe numrin e vëzhguesve që nga viti 1996 dhe deri në procesin që pritet të zhvillohet pas pak javësh. Të dhënat flasin vetë.

ZGJEDHJET PARLAMENTARE TË 28 QERSHORIT 2009
Staf misioni 14
Vëzhgues afatgjatë 26
Vëzhgues afatshkurtër 400
Në krye të misionit Endrju Glover (Audrey Glover) - Britania e Madhe

ZGJEDHJET LOKALE TË 17 SHKURTIT 2007
Staf misioni 11
Vëzhgues afatgjatë 20
Vëzhgues afatshkurtër 400
Në krye të misionit Jorgen Grunet (Jørgen Grunnet) - Danimarkë

ZGJEDHJET PARLAMENTARE TË 3 KORRIKUT 2005
Staf misioni 14
Vëzhgues afatgjatë 26
Vëzhgues afatshkurtër 408
Në krye të misionit Jorgen Grunet (Jørgen Grunnet) - Danimarkë

ZGJEDHJET LOKALE TË 12 TETORIT 2003
Staf misioni 12
Vëzhgues afatgjatë 18
Vëzhgues afatshkurtër 250
Në krye të misionit vëzhgues Robert Barri (Robert L. Barry) – Britani

ZGJEDHJET PARLAMENTARE TË 24 QERSHOR 2001
Staf misioni 10
Vëzhgues afatgjatë 18
Vëzhgues afatshkurtër 250
Në krye të misionit vëzhgues Nikolai Vulkanov

ZGJEDHJET LOKALE TË 1 TETORIT 2000
Staf misioni 7
Vëzhgues afatgjatë 16
Vëzhgues afatshkurtër 150
Në krye të misionit vëzhgues Eugjenio Polizi (Eugenio Pulizzi) Itali

ZGJEDHJET PARLAMENTARE TË 29 QERSHORIT 1997
Staf misioni dhe konsulentë 90
Vëzhgues afatgjatë 26
Vëzhgues afatshkurtër 475
Në krye të misionit Zonja Katerinë Lalumierë, e shoqëruar nga Sër Rasëll Xhonson dhe Havier Ruperez

ZGJEDHJET LOKALE TË 1 TETORIT 1996
Staf misioni Tre kryesuesit+personeli i huaj në Tiranë
Vëzhgues afatgjatë Stafet e 3 organizatave të huaja në Tiranë
Vëzhgues afatshkurtër 50
Në krye të misionit tre bashkëkryetarë: Ander Erikson (Anders Eriksson)- Suedi, Eugjenio Polizi (Eugenio Polizzi_, - Ital) and Mark Pouer Stivens (Mark Power-Stevens) nga Britania e Madhe.

11 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›