Për një ditë të bardhë!
"Sa të lumtur ishim kur vuanim bashkë"! Kur njeriu i dëgjon fjalë të tilla me dhimbje vetëtime jo vetëm prej atij brezi që pati arritur t‘ia shijojë disa të mira sistemit të vjetër totalitar, nuk çuditet dhe aq. Në fund të fundit, nostalgjia, në atë kuptim që kjo fjalë përdoret në greqishte, në gjuhën e burimit, është e përjetshme dhe e përgjithshme. Por kur edhe breznitë e mëvonshme vihen në dilemë ku ta shohin të ardhmen e tyre, tek e shkuara apo tek ajo që pritet, kjo s‘është më thjesht "sindromë nostalgjikësh", sikundër thuhet rëndom, por një pikëpyetje jetike për rrugën ku po shkon ky vend.
Në krahasim me fundin e viteve 1990, njerëzit që mendojnë se komunizmi, në atë formë që u ndërtua në Shqipëri e në gjithë botën e Lindjes, ishte një aksident tragjik gjysmëshekullor që jo vetëm shkatërroi jetën e njerëzve, por mbi të gjitha i la ata pa ideal, janë shumicë e padyshimtë dhe strategjike. Zor se mund të kthehet më në këtë vend nostalgjia për një komunizëm ashtu si e provuan shqiptarët në fatin e tyre. Por në një vështrim tjetërsoj -jo si sistem politik- një shumicë alternative sa vjen e po shëndoshet. Të majtë e të djathtë, në qeverisje dhe nën qeverisje, antikomunistë e nostalgjikë, në këtë vështrimin tjetër vijnë shpejt në një mendje: ç‘nuk kishte të mbrapshtë ajo kohë: luftën e klasave, barazinë në varfëri, ankthin e përgjithshëm, ngurtësimin ideologjik, dhunën ndaj kundërshtarëve, vetëveçimin nga bota, dënimin për një fjalë goje. Porse ama kishte siguri.
Jeta e njeriut arriti mesataren e përgjithshme 72 vjet. Lindshmëria e lartë, sido që jo aq sa në pjesën tjetër të botës shqiptare, pati nisur të shqetësonte gjeopolitikisht dhe demografikisht rajonin. "Piramida" e popullsisë, me sundimin e bazës së saj prej moshave të reja, krijonte vetvetiu një gjendje optimizmi. Gjakmarrja dhe hakmarrja mendohej se kishin vdekur një herë e përgjithnjë, vetëm kinemaja dhe libri ishte e interesuar për to. Një shtetas britanik, nga ata të paktë që mund të hynte në Shqipërinë e vetërrethuar, për t‘u bindur se në kryeqytetin e vendit më intransigjent të botës kishte aq siguri sa thuhej, e kaloi natën në një stol në parkun përballë hotelit, pasi iu përvodh personelit që duhej të kujdesej për të. Martin Moir, njeriu që i dhuroi shtetit shqiptar 25 mijë disqe origjinale me regjistrime zërash prej një shekulli, pas kësaj mendoi: "Në këtë vend edhe zogu duhet të marrë leje për të hyrë, këtu thesari im do të jetë më i sigurt se kudo". Dhe pas kësaj, më vjen një nënqeshje pa zë brenda vetes. Njerëzve u kujtohet mirë se me çfarë entuziazmi nisi të ndërtohej në fund të viteve 1990 "shoqëria e konsumit" në vend të "shoqërisë së kursimit". Gjithçka që lidhej me të ardhmen përfytyrohej më shumë se e trandafiltë, megjithëse kishte ardhur koha e një ngjyre krejt tjetër. Thuajse kishim mbërritur në dyert e parajsës.
Po pse njerëzit tashmë nuk besojnë më as tek e ardhmja, as tek e sotmja? Pse thuajse gjithçka e dëshirueshme përfytyrohet në formën e nostalgjisë?! Por do të mjaftonte një fakt krejt i thjeshtë. Në ato vite kur u ndanë kohërat dhe për shumë vite më pas, dënimi i së kaluarës u paraqit me të drejtë edhe si një kusht për t‘u ndarë edhe prej krimeve të saj, në radhë të parë prej likuidimit fizik të kundërshtarëve politikë. Statistikisht numëroheshin 3600 shtetas të pushkatuar, të dënuar me vdekje apo të vdekur para kohe në burgje dhe galeri. Një numër jashtëzakonisht i lartë jetësh njerëzore të harxhuara për përjetësimin e një pushteti hegjemon dhe totalitar, që pretendonte të mbijetonte në jetë të jetëve. Mirëpo që nga viti 1990 e këndej, në më pak se gjysmën e viteve të sundimit totalitar, numri i jetëve njerëzore të humbura për gjithfarë arsyesh: prej mërive politike dhe gjakmarrjes primitive deri te lufta spektakolare e vitit 1997; prej atentateve dhe aksidenteve deri te zhdukja pa gjurmë; prej gëlltitjes në gollet e detrave deri te përhumbja në zgafellat e Malësisë së Madhe. Edhe nëse një shoqatë bamirëse arrin t‘ua heqë duarsh familjeve "pengjet e hakmarrjes" në malësi, ja ku dalin ca vrasës më modernë, që ua marrin frymën pak nga pak, duke u hequr edhe bukën e gojës dhe plaçkat e trupit!
Në Shqipërinë e dikurshme ekzistonte ligji i dënimit me vdekje. Në Shqipërinë e kohëve moderne ligji e ndalon marrjen e jetës së tjetrit. Asnjë gjykatë nuk mund të vendosë për dënimin kapital, sikurse thuhej dikur. Por ç‘rëndësi ka ky farë demokratizimi apo dhe qytetërimi quajeni, nëse numri i jetëve të humbura në dy dekadat e fundme jo për shkaqe natyrore, por se ashtu ka vendosur trilli i dikujt, rezulton ndoshta trefishi i atyre që viktimizoi vrazhdë diktatura?! A nuk është kjo një tjetër formë diktature, diktatura e pasigurisë? Nuk kishte këtë kuptim ideali i njerëzve që përmbysën komunizmin. Ata ëndërronin një shoqëri ku jo të drejtat ekzistenciale, por edhe të drejtat më anësore të njeriut, të respektoheshin.
Njerëzit po shohin prapa sepse e ardhmja e tyre është errësuar. Arsyetimi që ata bëjnë është shumë i thjeshtë: "I kishte të gjitha të këqijat ai rend, por kishte siguri. Kurse tani, të jesh i pasur të vrasin se je i pasur dhe konkurrues; të jesh i varfër të vret varfëria vetë; të duash të dalësh nga varfëria të qërojnë rivalët; dhe nëse ke ndofarë trilli për gjah, për shembull, mos shko se të hedh makina njëzet metra tutje dhe zagari të vajton te koka". Prandaj dhe përshëndetja më e zakonshme e shqiptarëve është: "Hajt, shtyje! Rrojmë sot për sot!". E shtyjmë, po deri kur?
Një popull i tërë që rron me të shtyrë! Një kohë e tërë që ka marrë emrin e Gërdecit! Agjitatorët kanë dalë nëpër tribuna për të premtuar "Shqipërinë e tyre" të pas 28 qershorit. Flasin për plehrat që do të hiqen rrugëve, flasin për pemët që do të shtohen në qytete, flasin për "rritjen ekonomike vjetore rekord prej 6-9 për qind", flasin dhe japin garanci se kriza financiare botërore s‘ka punë me Shqipërinë, sepse ky është një ishull ku dollari dhe euro nuk sëmuren kurrë, edhe sikur në gjithë botën të sëmuren. Flasin për urat që do të ndërtohen në fshat dhe gratë që do të jenë më shumë në qeverisje. Por askush nuk na thotë a do të marrë fund kalvari i quajtur "tranzicion", që po bëhet më i urrejtshëm se "ndërtimi i plotë i shoqërisë socialiste" dikur.
Një mendimtar klasik, Karl Marksi, emri i të cilit tani së voni po evokohet gjithnjë e më shpesh krahas me emrin e J. Keynes-it dhe të pasuesve të tij, është shprehur se një shoqëri mund të vlerësohet me një farë perspektive vetëm nëse "brezi i jetës", brezi që krijon të mirat e jetës, arrin të prodhojë për të rrojtur më mirë vetë dhe një shtesë të domosdoshme për të ndërtuar të ardhmen e brezit pasardhës. Kjo quhet përgjegjësi historike. Mbi këtë bazë krijohet trashëgimia. Nuk bëhet fjalë t‘i lëmë atij brezi të ri përqindjen e rentës, letrat me vlerë, sepse kjo është një e ardhme që blihet. Brezit duhet t‘i meritohet trashëgimia funksionuese, një pasuri që nuk ngrihet e shembet një herë në katër vjet.
Por tranzicioni dhe rruga e pambarimtë drejt zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik nuk janë shkaqet e vetme të pasigurisë së jetës. Në Shqipëri bazat e sistemit shoqëror kanë qenë e janë historikisht të paqëndrueshme. Njëqind vjet më parë, kur Shqipëria u njoh si shtet më vete, pavarësisht se historianët heshtin, u njoh si "shtet me kurorë". Kur themeluesin e shtetit shqiptar tamam miqtë e tij e dëbuan duke e akuzuar se e kishte shpallur Shqipërinë të pavarur për t‘u bërë vetë sovran, vendi u kthye në principatë të trashëgueshme, me pak se "shtet me kurorë". Në fund të Luftës së Parë Botërore në krye të vendit erdhi një "pleqësi", "kryesi", apo "këshill shteti", që përbëhej nga katër anëtarë, që populli i quante me qesëndi "çerek-mbretër". Fan Noli zhvilloi për një gjysmë viti qeverisjen më liberale, aq sa dhe në Lidhjen e Kombeve mbajti fjalime satirike, por republikën e shpalli A. Zogu.
Pas tri vitesh, vetë "nuni" i republikës do të fronëzohej mbret dhe asnjë qeveri evropiane nuk e vrau mendjen për atë që ndodhi. I vetmi që kundërshtoi ishte themeluesi i Turqisë republikane Ataturk! Gjatë pesë vjetëve të luftës antifashiste sistemi politik ndryshoi dy herë: në fillim qeverisje me mëkëmbës mbret - perandor dhe pastaj me regjencë, domethënë me mbretëri kolektive, si në vitet 1920. Republika e komunistëve ndërroi formë dy herë, duke ruajtur "presidiumin", përsëri kryesi kolektive formale shteti me 16 anëtarë e më vonë kur mendohej se mbretëria kishte mbetur në muze, mbretnorët arritën të marrin 33 për qind të votave në një referendum plebishitar vetëm 10 vjet të shkuara. Paqëndrueshmëria e sistemit politik nuk është vetëm një çështje e së shkuarës. Nuk mund të gjendet një vend tjetër në botë ku vetë qeverisësit e rendit të parë të sillen me Kushtetutën e shtetit si me një librezë uji. "Këtu fillon e ardhmja", thuhet në ballinën e Kushtetutës së vitit 1998, por aty u pa më vonë se nuk fillonte hiç e ardhmja, por një katrahurë hesap me institucionet?!
Shqipëria është një vend pa konventë, të mirë apo të keqe. Shqipëria madje nuk ka as dhe një orientim politik bindës dhe strategjik. Të gjithë, të majtë e të djathë, thonë se duan ta bashkojnë urgjentisht vendin me Shtetet e Bashkuara të Evropës, por në mendje e në veprim tjetër gjë bëjnë: si ta ujdisin punën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nxënësve të shkollave tetëvjeçare u thuhet se ngjarja më e madhe e dy dekadave të fundme është vizita e G. W. Bush në Tiranë, jo shkundja e kësaj bote prej sloganit të studentëve idealistë "E duam Shqipërinë si e gjithë Evropa!". Ndoshta është më mirë vërtet për Shqipërinë që të parapëlqejë si aleat strategjik Uashingtonin, sido që pjesa më e madhe e njerëzve të politikës nuk i dinë dallimet rrugës së formimit shtetëror të njërit apo të tjetrit aleat dhe askush nuk ka bërë një studim se cila strategji është më e realizueshme. Por të thuash "Evropën" dhe të mendosh "Amerikën" është një shtirje që e shumëfishon pasigurinë, një hibrid vizioni që çorienton të madh e të vogël si gjithmonë ndër sisteme të ndërrueshme lehtë në tokën tonë. Kush e di çdo na dalë shpejt ndër hinterlandin evropian ndonjë model tjetër demokracie apo lideri që ne t‘i shkojmë pas për nga moda e jo të bëjmë atë punën tjetër të mirë fort, të studimit të tij e adaptimit të kushteve tona. Një kopjim kaq i shëmtuar s‘të vjen ndërmend!
Shqiptarëve u ka mbetur të mendojë secili për kryet e vet. Të shpëtojë veten, të shpëtojë fëmijët dhe familjen. Të ketë dy lekë mënjanë për ditë të zezë, kur duhej të ishte e kundërta: të ketë diçka që tepron, jo prej kursimit, por prej qëndrueshmërisë së jetës, për një projekt e për një ëndërr. Një ëndërr që mos të lindin më mes nesh breza fatkeq që të vazhdojnë të rrotullohen si një varkë mes vorbullës sepse ne, prindërit e tyre e prindërit para nesh, nuk ditëm t‘u gatitnim një konventë, një konventë në të cilën të garantohet siguria e jetës. E derisa një konventë e tillë mungon, nostalgjia si gjendje, mbetet vetëm një liman për të dremitur nga pak.