E Shtunë, 31 Tetor 2026

PER NJE SHENDETESI ME TE MIRE

Një shëndet i mirë e bën jetën më të sigurt. Këtij binomi duhet doemos t‘i shtojmë edhe një element tjetër të rëndësishëm: sistemin shëndetësor, pasi një sistem i mirë shëndetësor "prodhon" shëndet të mirë e të mundëson ta jetosh jetën.

Po cili është një sistem i mirë shëndetësor?

Një sistem shëndetësor i mirë do të ishte ai që është i aftë të ofrojë shërbimin shëndetësor bazë, lehtësisht të arritshëm e cilësisht të pranueshëm për popullatën, dhe me eficencë të lartë. Nga sa më sipër, kuptohet që aksesi i popullatës për arritjen e shërbimit shëndetësor është me rëndësi vendimtare për një shëndet të mirë.

Aksesi për shërbim shëndetësor ka një përbërës objektiv që lidhet me numrin e mjaftueshëm e të kualifikuar të personelit (mjekë, dentistë, farmacistë, infermierë etj.) e të institucioneve shëndetësore (ambulanca, qendra shëndetësore, poliklinika e spitale), si edhe me shpërndarjen e drejtë gjeografike të tyre për të mbuluar gjithë territorin; ofrimin e shërbimeve të duhura shëndetësore në sasi e cilësi të pranueshme, si edhe një përbërës subjektiv që ka të bëjë me moralin dhe etikën e sjelljes ndaj pacientit për të mos penguar marrjen e shërbimit shëndetësor me anë të korrupsionit, sjelljes së papërshtatshme etj.

Situata

Aksesi i popullsisë sonë për shërbim shëndetësor sot është larg të qenit normal. Problemet janë të shumta, por do të përmendja disa prej tyre, që mendoj se janë më të mprehta, si:

-Numri i mjekëve për 1000 banorë te ne (1.31) është 2.6 herë më i vogël se mesatarja e vendeve të Bashkimit Evropian (3.43), por mjaft më i vogël edhe se i vendeve rreth nesh.

-Po kështu, deficite të thella janë edhe për numrin e dentistëve dhe farmacistëve për banorë. Kemi vetëm 0.5 mjekë të familjes për 1000 banorë, në krahasim me 0,99 që ka BE. Për më tepër, nga këta mjekë, në Shqipëri pjesa më e madhe (80%) janë të paspecializuar e quhen të përgjithshëm, kurse Fakultetit tonë të Mjekësisë do t‘i duhen 100 vjet, që me këtë kapacitet që ka (15 specialistë në vit), të bëjë riciklimin e të gjithë mjekëve të familjes.

-Numri i institucioneve shëndetësore dhe i kapaciteteve të tyre për banorë është rreth dy herë më i vogël se ai i BE-së. Kështu, ne kemi 1.6 spitale dhe 280 shtretër për 100 mijë banorë në krahasim me 3.2 spitale dhe 425 shtretër që kanë vendet e Bashkimit Evropian.

-Mungesa e disa shërbimeve shëndetësore që nuk ofrohen nga sistemi ynë shëndetësor, si transplantet e organeve, mjekimi i shumë patologjive të rënda, sidomos onkologjike etj., i detyron shqiptarët të marrin rrugët e botës (Turqi, Greqi, Itali, Maqedoni etj). Të gjithë jemi dëshmitarë të sakrificës shpesh ekstreme që bëjnë "hallexhinjtë", duke u mbytur në borxhe, për të mjekuar të afërmit e tyre që nuk i trajtojnë dot në spitalet tona.

-Shpërndarja gjeografike e shërbimit shëndetësor në vendin tonë është shumë problematike, duke u përqendruar kryesisht në Tiranë dhe qytetet e tjera të mëdha e duke lënë të mbuluar keq ose të zbuluar një pjesë të konsiderueshme të territorit, veçanërisht në veri dhe verilindje të vendit. Mungesa e personelit dhe institucioneve shëndetësore detyron banorët e këtyre zonave të bëjnë deri edhe me dhjetëra kilometra rrugë në shi a në dëborë, natën apo ditën, për të shkuar në qytet për të kontaktuar me mjekun, dentistin, farmacistin, për të kryer një analizë të thjeshtë urine a gjaku, për të marrë një pako paracetamol etj.

-Faktorët subjektivë që dëmtojnë aksesin, si korrupsioni (mitëmarrja etj.) janë kthyer në epidemi me pasoja shkatërruese për sistemin tonë shëndetësor. Zgjidhja kërkon reforma të thella e komplekse të sistemit e jo "arnime", që vetëm ngjallin iluzione, por nuk zgjidhin.

Disa propozime

Disa nga alternativat për përmirësimin e aksesit të popullatës për shërbim shëndetësor mund të jenë:

-Një strategji afatshkurtër që të përfshijë organizimin e shërbimeve shëndetësore të lëvizshme (mobile) në zonat me popullsi të rrallë, krijimin e një sistemi të posaçëm të komunikimit telefonik dhe sigurimin e transportit 24 orë në 24 orë midis ambulancave, qendrave shëndetësore dhe spitaleve, sipas rajoneve e në nivel kombëtar, që do të zgjidhë në kohë e me cilësi situatat emergjente.

-Përmirësim rrënjësor i stimulimit financiar dhe mbështetje e plotë për shërbimin shëndetësor parësor në zonat rurale, e sidomos ato të thella, me anë të një skeme të mirëmenduar, që mendoj se do të ketë shumë rezultat.

-Një strategji afatmesme, që të përmbajë sigurimin e pranisë 24 orë në 24 orë të personelit të mesëm të kualifikuar, dhe gatishmërinë e mjekëve të familjes, që do të sigurojë shërbimet shëndetësore bazë në rastet e urgjencave mjekësore nga zonat e thella rurale, të parashikuara këto në kontratat e punës. Gjithashtu, edhe afrimin pranë komuniteteve të shërbimeve, për të cilat popullsia është tepër e interesuar, si shërbimet diagnostikuese, laboratorike e radiologjike në qendrat e mëdha shëndetësore, si edhe politika "ndryshe" për të nxitur mbulimin me shërbim dentar e farmaceutik të zonave rurale.

-Një strategji afatgjatë që propozon stimulim dhe mbështetje të plotë për shkollat mjekësore (publike e private), për të rritur numrin e studentëve e specialistëve të mjekësisë, por edhe cilësinë e tyre, si dhe liberalizimi i shërbimit të kujdesit shëndetësor parësor në qytetet e mëdha, atje ku ka konkurrencë, si Tirana, Durrësi, Shkodra, Vlora, Korça etj., sipas parimit "financim publik-shërbim privat". Sepse nëpërmjet mekanizmit të garës përmirësohet ndjeshëm dhe aksesi e cilësia e shërbimit shëndetësor që do t‘i ofrohet popullatës, përmirësohet financimi i sistemit, si dhe minimizohet ndjeshëm korrupsioni dhe pengesat e tjera subjektive ndaj aksesit për shërbim shëndetësor.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›