E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza boterore dhe norma e interesit

Ka kohë që parashikohen re të zymta mbi financat dhe ekonominë shqiptare, gjë që në fakt mund të shmanget ose zvogëlohet. Një pikë e rëndësishme për financat është bankingu dhe, këtu nuk mund të lihet mënjanë kredia dhe norma e interesit. Në një shkrim të para do kohëve, titulluar "Beteja për ‘I‘-në (normën e interesit)", shprehja ide kundërshtuese kundrejt ngritjes së normës bazë të interesit nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, për herë të fundit në 6,25%, aq më tepër me një qeveri të djathtë në pushtet, e cila teorikisht i ul taksat dhe ‘I‘-në për t‘i kaluar investimet më të mëdha në sektorin privat, që duhet kredituar me pak ‘mishelle‘ monetare nga kursimet bankare të publikut, si dhe paratë e vetë bankës.

Mendimet e mia të mëposhtme janë modeste dhe nuk pretendojnë se janë e vërteta absolute mbi këtë fushë të vjetër e të vështirë sa vetë njerëzimi (për fajdenë apo ‘I‘-në flitet edhe në librat e shenjtë) dhe kërkoj të mirëkuptohem nga lexuesi për qëllimin e mirë që kanë përballë predikimit të një panorame relativisht të zymtë ekonomiko-financiare dhe kaq të rëndësishme për jetën e qytetarëve tanë dhe ekonominë në tërësi.

Në situatën e sotme, natyrisht që ekonomia dhe financat botërore do të ndikojnë mbi ekonominë tonë të hapur ndaj mallrave dhe shërbimeve të importuara, por relativisht të mbyllur ndaj financimeve bankare të gjigantëve financiarë të elitës bankare botërore dhe tregjeve të tyre financiare "me probleme likuiditeti" apo deflacioniste në dukje. Bankingu dhe ekonomia janë si harku me shigjetën, që e ndihmojnë njëra-tjetrën për të goditur në shenjën e objektivit të zhvillimit të cilësisë së jetës së njerëzve. Lëvizja e njërës ose tjetrës humbet shenjën. Sot, papunësia në Perëndim është 7-8% ose afro 5 herë më pak se papunësia e post-Depresionit të Madh pas viteve 1929 (që ndodhi nga tërheqja e parave dhe financimi i Gjermanisë, e cila e pati më vonë - pas një superinflacioni 13-vjeçar - papunësinë 1%). Tek ne, mendoj se sot duhen marrë masa që ekonomia të marrë frymë lirshëm në këtë ambient të ‘intoksikuar‘ tregu të destinuar, të përbashkët e të hapur, pasi ajo do rrezikohet më tepër nga mallrat me çmime të ulëta që mund të ofrohen, për shkak të uljes së fuqisë blerëse nga rritja e papunësisë dhe ulja e konsumit të mallrave atje (pra, për shkak të këtij fenomeni që sjell recesioni ekonomik dhe deflacioni), për shkak të momentit të parë të infuzionit të dollarit apo euros në ekonomitë dhe sistemin bankar botëror, si dhe uljes së normës bazë të interesit (Fed-i e ka çuar 0,25 dhe 0% normën bazë të skontimit).

Në fakt, kjo është një gjendje e krijuar nga arkitektët e mëdhenj të elitave financiare botërore (që krijohet në USA dhe GBR në përmasa të ndryshme për nga thellësia çdo 15-18 vjet (aq sa janë afatet e gjata të kredisë apo i ashtuquajturi ‘cikli i biznesit‘ nga ‘hajekanët‘), e cila kur fillon hopi i ekonomisë krediton 70-80% të investimit dhe nga fundi i ‘ciklit të biznesit‘ krediton 30-40% të tij (në Francë gati çdo 9-10 vjet), që kreditorët (bankierët) të fitojnë gjithë pasurinë e:

1) bizneseve në tregjet e aksioneve (bursat) nëpërmjet deficitit të parave (deflacionit) nga tërheqja e tyre artificiale dhe mungesa e likuiditeteve, çka sjell mosfinancim, rënie të aktiviteteve normale në ekonomi, ulje të çmimeve të aksioneve në bursë, për shkak të deflacionit artificial monetar dhe moskreditimit të bizneseve të kuotuara aty, që kapin simbolin ‘ari‘;

2) kolateralët e konsumatorëve, pasi bankat ‘vrasin‘ nga kontakti kreditues direkt edhe debitorin-konsumator, duke u bërë pjesë në përqindje apo gllabëruar gjithë kolateralët e publikut (imobiliaret). Kur deti keynesian i ekonomisë qetësohet dhe bursat kapin shenjën ‘demi‘, asetet synohen të shiten nga gjysma e parë e ‘ciklit‘. Sekreti më i madh i punëve të botës është tek paraja. Ruana Zot sikur organizmat e mëdha financiare të rifutin përsëri ‘standardin e arit‘, çka do të bënte të falimentonin gjithë bankat e nivelit të dytë, që nuk u përkasin elitave financiare, pasi paranë, atë fiudicare dhe atë elektronike e kanë të pambështetur në konvertibilitetin e arit (kështu u veprua pak a shumë pas viteve 1919 dhe Luftës së Parë Botërore), që solli deflacionin e viteve 1930.

Disa vende të fuqishme i kanë bankat qendrore private, ndërsa disa të tjera shtetërore. Kanë qenë dy etërit themelues të SHBA, A.Hamiltoni, nga njëra anë (ish-sekretari i Parë i Thesarit me Xh.Uashingtonin President), i cili ka debatuar me T.Xhefersonin dhe Xh.Adams (të dy presidentë pasues të XH.W) se si do të duhej te ishte Banka Qendrore dhe këta dy të fundit kanë deklaruar se banka qendrore lipsej të ishte shtetërore (si te ne, afërsisht) duke menduar se projekti i Hamiltonit do t‘i çonte qytetarët amerikanë në zgjedhën e bankierëve. Ishte E.Xheksoni, i cili më 1834, e kaloi bankën qendrore të ‘greenback-ut‘ në varësi të Kongresit dhe deri tek Uillsoni më 1914 kështu vazhdoi, derisa u krijua Fed-i më 1913. Fed-i, pavarësisht se ka brenda fjalën federale, është organ mbikëqyrës dhe emetues privat, në pronësi kryesisht të 3-4 bankave private. P.sh., për çdo 1 bilion USD që ka nevojë qeveria amerikane në bonde, emetohen edhe afro 15 bilion USD para elektronike për organet e pushtetit lokal, të cilat si para që nuk ekzistojnë, u shiten amerikanëve me interes!!! E gjithë kjo para, pra, është ‘pronë‘ e Fed-it dhe i kreditohet popullit amerikan me interes. Ka mendimtarë që thonë se paraja, pronë e shtetit, e kredituar me zero përqindje, nuk sjell inflacion, por rrezikon shfrytëzimin e shpejtë të burimeve dhe mbirritjen e shpejtë të popullsisë, për shkak të rritjes së mirëqenies dhe ofrimit të parasë sipas nevojës për mallra dhe shërbime.

Monetarizmi apo loja me interesin bëhet për dy qëllimet e mësipërme të bankierëve, që cituam më lart dhe tash kjo ulje e ‘I‘-së në SHBA nuk shkon ideologjikisht me të majtën e Obamës, pasi të majtët rrisin investimet publike. Nga rritja e taksave vjen detyrimisht ulja e ofertës së parasë në sektorin privat dhe ulja e prodhimit të mallrave dhe shërbimeve private. Gjithashtu, një qëllim tjetër i uljes së interesave është oferta e lakmueshme tani për tani për kredi nga vendet e botës së tretë, por që në fakt, ky borxh afatgjatë i tyre do të jetë i lidhur me interesin permanent që do të përcaktojë Fed-i gjatë ‘ciklit të biznesit‘, çka bën që këto vende të lëshojnë më pas kolateralet e tyre për bankat, ose të shesin lirë produktet e tyre bujqësore dhe lëndën e parë bruto nga mosshlyerja e kredisë.

Në fakt, tek ne, norma bazë e skontimit nga Banka e Shqipërisë duhej të ishte mbajtur afër kufirit të normës natyrale, pikë ku barazohen kursimet me investimet, gjë që nuk ka ndodhur asfare. Realisht, raporti i aktiveve të bankave (depozita plus asete likuide të veta) me kreditë është afro 3/1 (ose 9 bilionë/3 bilionë) dhe rezervat e tyre bankat i kanë shfrytëzuar në lojën me obligacionet qeveritare duke fituar edhe në sajë të normës bazë të lartë të interesit, çka e ka rritur borxhin e brendshëm publik për frymë të shqiptarëve. Po kështu, norma bazë e lartë ka rritur edhe borxhin afatgjatë nga kreditë infrastrukturore të qeverisë, sidomos borxhin për financimin e rrugës Durrës-Kukës. Norma bazë aktuale për kushtet tona (6,25) është bërë për të fituar bankierët, me pak kredi të sigurta dhe pak risk, e jo për t‘i dhënë frymëmarrje ekonomisë. Rreziku i inflacionit është inekzistent, edhe po u ul norma bazë e skontimit të BSH-së (do t‘u sugjeroja drejtuesve të BSH-së një ‘I‘ maksimumi 4,5% me 2-3 ulje për 9 muaj). Në një ekonomi të kredituar, zakonisht paguhet gjysma e çmimit të një fete buke apo të një makinerie, për biznesmenin e tregtarin, dhe gjysma për bankierët. Nëse rritet oferta e parasë së kredituar në treg 5-10% (aq sa parashikohet ulja e dërgesave të emigrantëve tanë) nga ulja e normës së interesit të kredisë dhe rritja e kredisë bankare në këtë vlerë absolute, pra rritje me rreth 150-300 milionë USD, nga kreditimi i sektorit publik e privat, përsëri do të ulet sasia e parasë që paguajmë për bankierët, në të njëjtën masë me uljen e normës së çmimit të parasë apo interesit, dhe sigurisht nuk do të ketë rritje të ofertës së parasë. Përkundrazi, pasi një debitor që paguan këstin e kredisë sot me 9-10% interes ose një këst prej 500 mijë lekësh të vjetra nesër, me 5,5-7% ‘I‘, do të paguajë afro 360 mijë lekë, pra ka një ulje prej afro 28% të parasë në treg dhe një rritje prej 10-15% të kredisë së përgjithshme apo afro 220 milionë USD, veprim që do ta mbante inflacionin në kufijtë e sotëm ose më pak se 3,7%. Këtu duhet llogaritur edhe shpejtësia e qarkullimit të parasë (V), pasi kjo është në përpjesëtim të zhdrejtë me sasinë e parasë (R) të hedhur në treg (R= KP/V, ku K është numri i transaksioneve dhe P niveli i çmimeve). Por edhe përkundër rrezikut të inflacionit, përsëri në rast rreziku, oferta e parasë në treg mund të frenohet edhe me tregtimin e bondeve qeveritare apo luhatjen ligjore të fondit të detyrueshëm të bankave të nivelit të dytë në BSH.

Kam lexuar që disa sektorë me financime të huaja, si sektori minerar dhe ai me fasion, kanë ulur aktivitetin në fushat e tyre për shkak se ‘shumëkombëshet‘ e tyre e kanë marrë krizën nga kreditimet e mëdha në vendet mëmë dhe për këtë nuk ka faj ekonomia dhe bankingu shqiptar. Problemi kryesor tek ne është të rriten kolateralet nga procesi i legalizimeve si dhe të vendoset, mbase me ligj afatshkurtër, sasia e kreditimit të një biznesi 30-40%, që probabiliteti i falimentimit të jetë i ulët dhe djersa e sipërmarrësve të mos shkojë dëm nga ekzekutimi i detyruar i së gjithë barrës tjetër siguruese të kredisë, apo përfshirjes së bankës në bashkëpronësi. Do të ishte mirë të ngrihej edhe një komitet qeveritar për konsultim dhe ndihmë teknike për kreditim dhe informacione për atë pjesë të publikut, që do kuturiste për sipërmarrje, por që ka nevojë të dijë fushat ku mund të investohet. Mendoj se mund të nxiten fusha me avantazhe të krahasuara natyrale, si peshkimi, fusha e armatorëve (ndërtimi i anijeve të vogla), blegtoria, frutikultura, zejet dhe bujqësia në përgjithësi, ku prioritet të jenë teknologjia moderne dhe trajnimet e stafeve ‘know-how‘. Për një periudhë afatshkurtër dhe me ndikimet e krizës botërore, bankingu ynë ka nevojë për iniciativa investuese e jo kursime. Në këtë mënyrë do rritej GDP-ja, punësimi dhe shpenzimet për mallrat e brendshme (rritja e kreditimit do të jetë oksigjen balancues përkundër uljes së remitancave, shpenzimeve, përmirëson bilancin e pagesave), që cilat do të duhet të jenë patjetër konkurruese në cilësi dhe çmim me mallrat e importit apo si zëvendësuese të tyre. Mallrat tona, sidomos ato me prejardhje nga produktet e përpunuara bujqësore e blegtorale, me politika nxitëse eksporti dhe tatimore në vitet e para të investimit, do të përmirësonin të ashtuquajturën pikëpamje merkantiliste.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›