E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat e falsifikuara, Ministria e Brendshme padit Gramoz Rucin



TIRANË – Debati lidhur me kartat e falsifikuara tashmë duket se do të jetë çështje e organit të akuzës. Ministria e Brendshme depozitoi ditën e djeshme pranë Prokurorisë së Tiranës një kallëzim penal ndaj Partisë Socialiste, duke e akuzuar këtë të fundit për veprat penale të “falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave” dhe të “përhapjes së informatave të rreme që ngjallin panik”.
Kallëzimi
Bërja publike nga ana e deputetit Gramoz Ruçi të disa kartave të identitet të falsifikuara e ka detyruar Ministrinë e Brendshme t’i drejtohet organit të akuzës për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.
Në tekstin e kallëzimit bëhet e ditur se në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë të datës 4 mars 2010 është deklaruar publikisht se ka prova e fakte, të cilat disponohen nga ana e deklaruesve, në lidhje me qarkullimin dhe përdorimin nga persona të ndryshëm të kartave të identitetit false. Ky pohim është ripërsëritur nga mediat e shkruara dhe në ato vizive.
“Duke konstatuar se deklaratat mbi ekzistencën e kartave false të identitetit vërtetojnë faktin se është kryer një vepër penale, e cila parashikohet në legjislacionin shqiptar, e konkretisht në nenin 189 të Kodit Penal, duke mos pasur
dijeni mbi autorët e kësaj vepre penale dhe personat e tjerë që kanë dijeni mbi rrethanat e faktet, si dhe duke mos u njohur me ndonjë veprim të Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor Tiranë për fillimin kryesisht të veprimeve procedurale, mbi faktet e bëra publike, Ministria e Brendshme, bazuar në nenin 281 të Kodit të Procedurës Penale, paraqiti përpara Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor kallëzimin penal”, – thuhet në kallëzimin e depozituar dje në Prokurorinë e Tiranës. Më tej Ministria e Brendshme shprehet se në cilësinë e autoritetit mbikëqyrës të Kontratës Koncesionare “Prodhimi dhe shpërndarja e dokumenteve të identitetit” është tepër e interesuar që të zbardhet tërësisht e vërteta rreth deklarimeve publike. Ajo kërkon që të vihen në dispozicion të Prokurorisë dokumentet e paraqitura në seancë plenare nga deklaruesit, të sqarohet se pse dhe në ç’mënyrë i disponojnë këto dokumente, si kanë marrë dijeni për këtë informacion e të tjera pyetje. Në fund të kallëzimit, Ministria e Brendshme kërkon nga organi i akuzës regjistrimin e kallëzimit penal dhe fillimin e procedurave të verifikimit e hetimit të fakteve përkatëse ndaj dokumenteve të paraqitura dhe personave që kanë dijeni për çështjen.

Deklarata e Ruçit

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, bëri publike në seancën parlamentare të datës 4 mars 2010 disa karta identiteti të falsifikuara. Sipas Ruçit, një person ka pasur në zgjedhjet e 28 qershorit 2 apo më shumë karta identiteti në më shumë se dy rrethe, duke i dhënë atij të drejtën dhe mundësinë e votimit më shumë se një herë, sa ç’është e parashikuar në ligj. Sipas Ruçit, kjo është një prej provave që disponon PS-ja, e cila vërteton manipulimin e procesit zgjedhor. Ai i bëri thirrje maxhorancës që të bëjnë transparencën e procesit zgjedhor në mënyrë që të mos përsëriten të tilla incidente. “Do të paraqes një provë tjetër të mekanizmit të manipulimit. Këto janë karta identiteti, si model i këtyre zgjedhjeve që është arritje dhe për herë të parë janë prodhuar me standarde të larta. Këtu kemi dy karta të një zonje nga Tropoja që janë të falsifikuara. Ne jemi këtu për ta zgjidhur këtë problem. Për ta bërë transparencën për të vendosur standarde të vërteta për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe për të plotësuar parametrat që BE kërkon për ne. Ne do jemi këtu për ta zgjidhur këtë krizë, nëse do të ekzistojë vullneti juaj, ne do të qëndrojmë. Por nëse vullneti juaj do të mungojë dhe ju nuk do të dëshironi ta zgjidhni këtë krizë ne nuk do të qëndrojmë dhe përgjegjësia do të bjerë mbi ju”, - është shprehur Ruçi.

17 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›