Trafiku i drogës, dorëzohet në Gjykatë dosja penale për Eduart Çelën
Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundoi hetimet dhe nisi dje drejt gjykatës dosjen penale me emrin e të pandehurit Eduard Çela, akuzuar për trafik të lëndëve narkotike. Ai akuzohet se ka trafikuar drogë të llojit kokainë nga Mali i Zi drejt Tiranës. Nga hetimet e prokurorisë rezulton se Çela ishte vënë në shënjestër prej shumë kohësh, por arrestimi i tij ishte një rastësi. Ditën që është vënë në pranga i pandehuri, policia kishte nisur një aksion të rastësishëm. Në kërkesën për gjykim të nisur në gjykatë thuhet: “Një aksion i rastësishëm i policisë i filluar në Lezhë dhe i finalizuar në Tiranë ka zbuluar dhe bllokuar 2 kilogramë e 624 gramë kokainë, duke arrestuar trafikantin që po transportonte lëndën narkotike. Eduart Çela është zbuluar nga policia teksa nuk i ka ndaluar Policisë Rrugore në Lezhë, kur i kanë bërë shenjë që të ndalonte. Menjëherë dy makina policie i janë vënë nga pas, duke lajmëruar edhe postblloqet e tjera në autostradë. I riu nga Kruja ka arritur të ndalohet vetëm nga një grup policësh në hyrje të Tiranës. Gjatë kontrollit në bagazhin e makinës, atij i është gjetur lënda narkotike e ndarë në 5 pako”. Bëhet e ditur se Çela ka udhëtuar me makinën e tij të markës “Kia” tip “Sportage” me targë DR 9182 D, nga Shkodra në drejtim të kryeqytetit. Sipas akuzës vlera e drogës së sekuestruar kap vlerën e 250 mijë eurove. Nëse do i kishte ndaluar Policisë Rrugore në Lezhë, mbase mund të kishte shmangur policinë në Tiranë, që i zbuloi lëndën e fortë narkotike.
Cërriku, Prokuroria merr në dorë ankesat e Gjykatës për avokatët
TIRANË – Avokatët vazhdojnë të bëhen pengesë për zhvillimin e seancave gjyqësore. Të pandehurit e bandës së Cërrikut, akuzuar për ngjarjen e rëndë të 22 majit 1997, kanë qenë të pranishëm në sallë, por avokatët e tyre nuk janë paraqitur. Të gjendur përballë kësaj situate, gjykata ka kryer vetëm shtyrjen e gjyqit për javën që vjen. Ndërkohë akuza ka reaguar. Prokurorët e çështjes i kërkuan gjykatës të gjithë ankesat që kanë nisur në drejtim të Dhomës së Avokatisë për mbrojtësit problematik. Sipas akuzës këto ankesa do të shqyrtohen dhe më pas do të dilet në një konkluzion. Avokatët edhe dje nuk kanë dhënë asnjë arsye për mosparaqitje. Nga ana e saj trupa gjyqësore, përsëriti faktin se do të rinjoftoi dhomën e avokatisë për neglizhencën e kësaj kategorie.
Pogradec - Zjarr në shkollë, digjen katër klasa
Zjarri shkrumbon një pjesë të mirë të shkollës 9-vjeçare të fshatit Rremenj në Pogradec, duke çuar në pezullimin e mësimit.
Zjarri ka nisur në orët e natës dhe ka shkaktuar djegien e ambienteve dhe të drejtorisë së shkollës. Ekspertët që kanë shkuar në vendin e ngjarjes deklarojnë se zjarri mund të jetë shkaktuar si pasojë e një sobe që ka qenë e ndezur. Vatra e zjarrit është lokalizuar në katin e dytë ku ka qenë një sobë që përdorej për ngrohje me dru zjarri. Për shkak të ambienteve të vjetra flakët janë përhapur me shpejtësi duke shkatërruar bazën materiale dhe regjistrat, një pjesë të madhe të librave dhe disa klasa. Kjo ka bërë që të pezullohet mësimi ndërkohë që nxënësit e shkollës 9-vjeçare të Rremenjit do të zhvendosen në tjetër shkollë për të mos penguar kështu procesin mësimor. Drejtori i shkollës, Eqerem Baçi, thotë se nxënësit do të zhvendosen në shkollën e Starovës deri në rregullimin e ambienteve për mësim.
17 Mars 2010