E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhaçka: Zgjedhjet e 28 qershorit një kërcënim real për demokracinë

Intervistë me deputeten e Partisë Socialiste, Olta Xhaçka

Olta Xhaçka një nga politikanet dhe deputet e reja të PS rrëfen për “Albania” pse vendosi të hyjë në politikë dhe cili është vizioni I saj për politikën. Xhaçka ka studiuar për shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare dhe është zgjedhur deputete në qarkun e Korçës. Ajo ka qenë pedagoge e shkencave politike, si dhe është angazhuar me një sërë projektesh në shoqërin civile në fushën e të drejtave të njeriut dhe qeverisjes së mirë. Lidhur me krizën politike në vend, sipas saj, kokëfortësia e mazhorancës për të mos bërë transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, përbën një kërcënim serioz për fatin e demokracisë e shtetit ligjor në Shqipëri. “Mungesa e zgjedhjeve të lira e të ndershme po vret dita ditës besimin e qytetarëve për një qeveri përfaqësuese, si dhe shanset që Shqipëria të dalë nga qerthulli i 50 vjetëve diktaturë e 20 vjetëve liri ku populli voton, e pushteti numëron”, nënvizon Xhaçka.

Pse vendosët të merreni me politikë?

Edhe pse nuk e kemi njohur për të tillë në Shqipëri, idealisht politika është shfaqja më e bukur e pasionit njerëzor për të përmirësuar cilësinë e jetës. Si përfaqësuese e një brezi të ri politikanësh kam zgjedhur të merrem me të në emër të këtij parimi.

A do ta linit politikën për një profesion tjetër?

Nuk jam përballë një vendimi të tillë. Unë e kam bërë zgjedhjen time. Besoj do i kthehesha mësimdhënies nëse nuk do të merresha më me politikë.

Çfarë ju shqetëson nga politika shqiptare dhe çfarë do të donit të ndryshonit?

Është e vrazhdë, shpesh herë pa ide, pa zgjidhje, pa vullnet. Mbetet një ushtrim bosh e i pavlerë nëse nuk përfaqëson interesat e qytetarëve. Besoj nevojitet të ndryshojë gjithë çfarë përmenda më sipër. Sipas shembujve europianë ku synojmë të integrohemi. Duhet të synojmë një demokraci përfaqësuese, ku qeveritë qeverisin në emër të interesave, nevojave, pse jo dhe aspiratave të qytetarëve shqiptarë dhe jo në emër të interesave të ngushta personale apo klanore.

Cilët janë politikanët që admironi si në vend edhe në botë?

Ka shumë të tillë ndaj dhe nuk do të përmënd emra se nuk do të më mjaftonin rreshtat e këtij artikulli. Shumica janë shembuj që vijnë nga perëndimi. Vlerësoj energjinë për punë, vizionin dhe përkushtimin për të ngritur shtyllat e një shteti demokratik. Pa dyshim ka të tillë edhe në politikën shqiptare të cilëve u duhet dhënë mundësia për t”i dhënë frymëmarrjen demokratike politikës jo-përfaqësuese që përgjatë viteve të tranzicionit ka përkeqësuar cilësinë e jetës së shqiptarëve. Ky qëllim nuk mund të mbërrihet përsa kohë nuk realizojmë dot zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike si në gjithë Europën ku synojmë të integrohemi, ku është vullneti i lirë i popullit, dhe numërimi i ndershëm i votave që dikton qeverisjen e vendit. Dhe ku kjo e fundit, për rrjedhojë, drejton vetën në funksion të interesave të zgjedhësve.

Në 18 mars, është seanca për të diskutuar projekt-vendimin e PS-së. Çfarë qëndrimi do të mbajë PS-ja nëse me mazhorancën nuk do të gjehet gjuha e përbashkët për hapjen e kutive?

Kokëfortësia e mazhorancës për të mos bërë transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, përbën një kërcënim serioz për fatin e demokracisë e shtetit ligjor në Shqipëri, ku mungesa e zgjedhjeve të lira e të ndershme po vret dita ditës besimin e qytetarëve për një qeveri përfaqësuese, si dhe shanset që Shqipëria të dalë nga qerthulli i 50 vjetëve diktaturë e 20 vjetëve liri ku populli voton, e pushteti numëron. Ne jemi të vendosur të mos e tolerojmë këtë fenomen të shëmtuar shqiptarë ndaj dhe kemi kërkuar të bëjmë transparencën e plotë të zgjedhjeve për të çmontuar mekanizmin korruptiv qe vihet në funksion sa herë ka procese zgjedhore në Shqipëri. Në këtë mënyrë, siç kemi deklaruar parreshtur, do të mund të shpëtojmë zgjedhjet e ardhshme nga shembujt famëkeq si Rushdia. Nëse në 18 mars mazhoranca nuk do të shprehë vullnetin e saj përmës votimit të projektligjit tonë për të zgjidhur krizën politike duke bërë transparencën e zgjedhjeve, Partia Socialiste do të vijojë, sikundër ka deklaruar, me protestat mbarëkombëtare të popullit opozitar për largimin e kryeministrit Berisha.

Nëse mazhoranca nuk lejon hapjen e kutive, a ka një datë fikse që opozita të nisë protestat?

Protestat do të fillojnë menjëherë pas 18 marsit, nëse nuk do të pranohet kërkesa jonë per transparencë të plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit.

17 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›