Opozita braktis Komisionin e Ligjeve, PD-ja rrëzon kërkesën për hapjen e kutive
Eljona Ballhysa
Deputetët e Partisë Socialiste kanë braktisur dje mbledhjen e Komisionit Parlamentar të Ligjeve për shkak se nuk ranë dakord me amendamentet shtesë të PD-së për ndryshimet në ligjin për Komisionet Hetimore. Në fillim të mbledhjes, deputeti socialist Fatmir Xhafaj u shpreh se amendamentet e demokratëve rrëzojnë në thelb iniciativën e PS-së. Xhafaj theksoi se për të bërë transparencën e zgjedhjeve duhet vullnet politik dhe kjo nuk ka lidhje me çështjet juridike. Ai kërkoi diskutimin për nenin 4 të draftit, pasi, sipas tij, ky përbën thelbin e kërkesës së socialistëve, që parashikon hetim të plotë të zgjedhjeve dhe hapjen e kutive të votimit në rast se kërkohet nga shumica e deputetëve. Por kjo kërkesë e Xhafajt u rrëzua nga kryetari i Komisionit, demokrati Ilir Rusmali. Ai tha se nuk mund të fillohet diskutimi nga mesi, por nga fillimi. Rusmali i kërkoi Xhafajt që të mos bëjë presion, por të ulen për të gjetur kompromisin. Ndërsa socialisti u shpreh se diskutimi i mëtejshëm është i kotë, pasi PD-ja nuk ka vullnet politik për të gjetur kompromisin, ndaj dhe deputetët e PS-së u larguan nga mbledhja e Komisionit. Jashtë mbledhjes Xhafaj u shpreh se do të mblidhet së shpejti Grupi Parlamentar i PS-së për të vendosur nëse do të marrë pjesë në seancën e ditës së enjte më 18 mars, kur është parashikuar miratimi i draftit për komisionet hetimore.
Ndryshimet
Ndërkaq, demokratët kanë miratuar projektligjin e PS-së bashkë me amendamentet që mbajnë firmën e tre deputetëve demokratë. Demokratët miratuan nenin 1 bashkë me shtesën që parashikon moshapjen e kutive të votimit për të cilat ka një vendim gjykate apo një padi në prokurori. “Në veprimtarinë e tyre komisionet hetimore të Kuvendit janë të detyruara të respektojnë parimin e ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve. Komisionet hetimore nuk mund të kenë objekt dhe as mund të hetojnë çështje të gjykuara nga gjykatat e vendit, nuk mund të kenë objekt dhe as mund të hetojnë çështje, fakte apo kompleks faktesh për të cilat është regjistruar kallëzim penal në prokurori ose kur ato janë në shqyrtim gjyqësor”, - shkruhet në amendamentin e PD-së të miratuar në mbledhjen e djeshme të Komisionit Parlamentar të Ligjeve. Më tej ata kanë miratuar nenin 2 bashkë me shtesën që parashikon që afati i komisionit hetimor të mos jetë më i gjatë se 3 muaj, ndryshe nga socialistët që kishin parashikuar si maksimumin e afatit 24 muaj. “Kuvendi mund të vendosë ngritjen e komisionit hetimor për të hetuar zbatimin e Kodit Zgjedhor në zgjedhjet për Kuvendin ose për organet e qeverisjes vendore. Komisioni hetimor i ngritur sipas këtij neni e ushtron veprimtarinë e tij për një periudhë jo më të gjatë se 3 muaj”, - shkruhet në draftin e demokratëve.
Rrëzimet
Demokratët, ndërkaq, rrëzuan nenin 3 të draftit të socialistëve që parashikon që shumicën në komisionet hetimore ta ketë opozita. “Në rastet kur objekti i hetimit lidhet me çështje të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin apo të qeverisjes vendore, shumica e anëtarëve të komisionit hetimor i përket partisë më të madhe të opozitës”. Pikërisht përmbajtja e këtij neni është rrëzuar. Po kështu, demokratët kanë rrëzuar edhe nenet 4 dhe 5 të draftit të socialistëve. Në nenin 4 parashikohet mënyra e administrimit të dokumenteve dhe e të dhënave të tjera që ndihmojnë hetimet, si dhe e drejta e hapjes së kutive të votimit për të bërë transparencën e procesit zgjedhor. “Në shërbim të hetimeve mbi çështjen, komisioni administron dokumente zyrtare, prova filmike dhe të dhëna të tjera që ndihmojnë në zhvillimin e hetimeve. Organet kompetente që i disponojnë këto të dhëna apo prova janë të detyruara t’ia përcjellin zyrtarisht ose vënë në dispozicion komisionit, sipas kërkesës së tij, jo më vonë se 7 ditë nga dita e marrjes së kërkesës. Në rastet kur objekti i hetimit lidhet me çështje të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin ose për qeverisjen vendore dhe në shërbim të hetimeve mbi çështjet, shumica e anëtarëve të komisionit mund të vendosë hapjen e një apo disa kutive të materialeve zgjedhore për të këqyrur, hetuar ose publikuar një apo disa nga dokumentet zgjedhore dhe/ose hapjen e një apo disa kutive të fletëve të votimit duke kryer rinumërimin e tyre për efekt të verifikimit të problemeve të mundshme të evidentuara gjatë procesit të pasqyrimit të rezultatit të numërimit të votave në tabelat përkatëse të rezultateve. Anëtarët e komisionit hetimor, ekspertët e angazhuar prej tij dhe personeli ndihmës i komisionit janë përgjegjës për ruajtjen e sekretit shtetëror gjatë hetimeve, sipas rregullave të parashikuara në nenet 159, 160 dhe 161 të Kodit të Procedurës Penale”, - shkruhet në nenin 4 që është rrëzuar dje nga deputetët demokratë.
Borchard, kritika qeverisë për lëvizje politike në administratë
Gjermania mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, por për anëtarësimin duhet një administratë e qëndrueshme që t’u bëjë ballë sfidave për realizimin e këtij objektivi. Kjo ka qenë deklarata e ambasadorit të Gjermanisë në vendin tonë, Bernard Borchard. Ai nënvizoi se një nga kriteret më të rëndësishme të Kopenhagenit për t’u realizuar anëtarësimi në Bashkimin Europian është një administratë publike funksionale, e cila nuk duhet të vuajë më nga largimet e nëpunësve nga puna për motive politike. “Një nga 3 kriteret e Kopenhagenit për BE-në është që administrata të vërë në jetë kuadrin ligjor të BE-së. Administrata publike duhet të jetë funksionale”, - tha Borchard. Ambasadori gjerman në Tiranë, Borchard, theksoi edhe njëherë që nuk duhet të ketë më largim të nëpunësve nga puna për motive politike. “Shumë nëpunës të kualifikuar nga ne u larguan nga puna mbi baza motivimesh politike. Kjo nuk duhet të ndodhë”, - theksoi ai. Ambasadori i gjerman, Bernard Borchard, deklaroi se edhe progres-raporti i KE-së lëshoi kritika për lëvizjet politike të nëpunësve të administratës publike.
Deklaratat e ambasadorit u bënë gjatë një konference për shtyp të Akses Albania, e cila monitoroi pikërisht lëvizjet në administratën publike në Shqipëri.
17 Mars 2010