Topalli kërkon në Gjermani liberalizimin e vizave për shqiptarët
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kërkon mbështetjen e Gjermanisë për heqjen e vizave për Shqipërinë. Kërkesa e Topallit u bë gjatë një takimi në Bundestagun gjerman me kryetarin e Parlamentit, Norbert Lammert. Topalli e njohu homologun gjerman me përmbylljen e të gjitha kërkesave nga ana e qeverisë shqiptare lidhur me menaxhimin e kontrolluar të kufijve, vënien në funksion të teknologjive të reja më të avancuara në këtë drejtim, të gjitha detyrime këto që lidhen me procesin e heqjes së vizave. Gjithashtu, kryetarja e Kuvendit, duke treguar për punën në Parlament, evidentoi numrin e madh të ligjeve e të reformave, të cilat janë miratuar në muajt e fundit. Duke diskutuar për çështjet ekonomike, ajo shprehu krenarinë për vlerësimet e FMN-së dhe Bankës Botërore për Shqipërinë, si i vetmi vend në rajon, që edhe pse i rrethuar nga kriza financiare globale, vazhdon me rritje ekonomike të qëndrueshme. Në bisedën e gjatë me kryetarin e Bundestagut, kryetarja e Kuvendit u përqendrua kryesisht në angazhimin e plotë e serioz të institucioneve shqiptare për heqjen e vizave, si një objektiv që i ka ardhur koha për t'u vënë në jetë. Topalli shprehu shpresën dhe besimin se Gjermania sërish do ta mbështesë Shqipërinë në heqjen e vizave për qytetarët e saj. Kryetarja e Kuvendit vijon vizitën zyrtare në Suedi.
17 Mars 2010