E Shtunë, 31 Tetor 2026

Largohen nga puna, fluks padish në Gjykatë nga ushtarakët e Shërbimit Informativ Ushtarak



Laureta Rryçi

Largohen nga puna, i drejtohen Gjykatës për t’u rikthyer sërish. Kësaj beteje ligjore i kanë hyrë nëntë ish-ushtarakë të Shërbimit Informativ Ushtarak (SHIU), të cilët prej pak ditësh janë larguar me vendim të drejtorit të tyre. Tashmë paditë janë depozituar në Gjykatën e Tiranës dhe pavarësish se janë ndarë në tri padi, kanë të njëjtin objekt: shfuqizimin e vendimit të drejtorit të Shërbimit Informativ Ushtarak dhe pezullimin e zbatimit të këtij vendimi. Padi të kësaj natyre depozitohen jo rrallë në Gjykatën e Tiranës për shkak të largimeve të shumta nga puna. Mirëpo vitet e fundit të gjithë vendosin të ndjekin rrugën ligjore për të përfituar së paku dëmshpërblimin financiar për largim të padrejtë nga puna.
Paditë
Reforma, si në çdo strukturë të Forcave të Armatosura, duket se ka prekur edhe Shërbimin Informativ Ushtarak. Të paktën kështu duket gjatë ditëve të fundit, ku në Gjykatën e Tiranës janë regjistruar disa padi për largim nga puna. Sipas padive të depozituara në kryesekretari, paditësit janë: Altina Veshi, B. Xh, Mimoza Xharo, Drini Mema, Gëzim Bajrami, Ilirjan Kishta,Petrit Subashi, Bujar Xhakolli dhe Ilirjan Burhanaj. Që të gjithë këta deri në ditët e para të muajit shkurt ishin punonjës të SHIU-t. Mirëpo një vendim që mban firmën e eprorit të tyre i ka larguar nga detyra që kishin.
SHIU
SHIU, në zbatim të misionit të tij, grumbullon, analizon dhe paraqet informacion për veprimtari, të cilat kërcënojnë e rrezikojnë integritetin e vendit, rendin kushtetues, planet ushtarake mbrojtëse dhe realizimin e misionit të Forcave të Armatosura. Paraqet informacione dhe vlerësime për gjendjen e sigurisë në Ministrinë e Mbrojtjes e në Forcat e Armatosura,
merr pjesë në procedurat për pajisjen me certifikatë sigurie të personelit ushtarak dhe civil të Ministrisë së Mbrojtjes e të Forcave të Armatosura, si dhe të subjekteve që kanë marrëdhënie me to. Kjo strukturë është në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes.

Të dhënat për tri paditë
Nr. i çështjes: 7076
Paditësit: Altina Veshi, B. Xh, Mimoza Xharo
Të paditurit: Shërbimi Informativ Ushtarak, RU nr.6001
Lloji i çështjes: Padi për shfuqizim/ndryshim akti administrativ
Baza ligjore: Neni 121 - 129
Objekti: Shfuqizimin e aktit administrativ nr. 211, datë 10.02.2010, të nxjerrë nga drejtori Informativ Ushtarak. Pezullimin e zbatimit të këtij akti.
Gjyqtari: Asim Vokshi

Nr. i çështjes: 7075
Paditësit: Drini Mema, Gëzim Bajrami, Ilirjan Kishta, Petrit Subashi
Të paditurit: Shërbimi Informativ Ushtarak, RU Nr. 6001
Lloji i çështjes: Padi për shfuqizim/ndryshim akti administrativ
Baza ligjore: Neni 121 - 129
Objekti: Shfuqizimin e aktit administrativ Nr. 211 datë 10.02.2010 të nxjerrë nga Drejtori Informativ Ushtarak. Pezullimin e zbatimit të këtij akti.
Gjyqtari: Mimoza Kajo

Nr. i çështjes: 7099
Dt. e regjistrimit: 15.03.2010
Paditësit: Bujar Xhakolli, Ilirjan Burhanaj
Të paditurit: Shërbimi Informativ Ushtarak, RU Nr.601 Linëz Qesarak
Lloji i Çështjes: Padi për shfuqizim/ndryshim akti administrativ
Baza ligjore: Neni 121 - 129
Objekti: Shfuqizimin e aktit administrativ Nr.211 datë 10.02.2010 të nxjerrë nga Drejtori Informativ Ushtarak. Pezullimin e zbatimit të këtij akti administrativ.
Gjyqtari: Agron Zhukri

17 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›