E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, në dy javë regjistrohen 5 vrasje me 6 viktima

Dy vrasjet më të fundit u shënuan brenda 24 orëve. Në më pak orë më tepër u regjistrua masakrimi i nje taksisti kurse një tjetër krim që nuk ka autor është ekzekutimi me silenciator i Elton Deliut dhe nënës së tij, Flutura Deliu 

TIRANE-Dy javët e fundit kanë qenë tronditëse për kryeqytetin. Jo pak, por pesë ngjarje kriminale me gjashtë viktima janë shënuar në këtë hark të shkurtër kohor. Dy vrasjet më të fundit u shënuan brenda 24 orëve. Petrit Pjetri u qëllua nga pronari i kompleksit “Llanaj”, në Unazën e re, ku kishte hyrë për të kryer grabitje. Ndërsa, pak orë më parë, Viktor Prendi kishte qëlluar për vdekje nënën e tij, Dile Prendi pas një grindjeje për motive të dobëta. Vrasja me një plumb në kokë dhe më pas djegia në makinën e taksistit Ramazan Hyka, ishte një tjetër krim që ngriti në këmbë mbarë policinë. Krimi makabër nuk është zbardhur ende dhe të vakëta janë shpresat e policisë për të mbërritur deri tek autorët e mundshme. Veç të tjerash, blutë po hetojnë dhe për pistën e një vrasje për motive hakmarrje. Një tjetër krim që nuk ka autor është ekzekutimi me silenciator i Elton Deliut dhe nënës së tij, Flutura Deliu, brenda në apartamentin e tyre, që ndodhej pas Presidencës. Trafikanti i drogës u kishte shpëtuar disa atentateve, por në fund u vra pikërisht në vendin që cilësonte si më të sigurtin, shtëpinë e tij. Deri më tani nuk ka asnjë të dyshuar si autor i mundshëm i atentatit mafioz. Ngjarja e radhës u shënua në Bathore, kur Elisabeta Hasa u vetëvar pasi i shoqi e keqtrajtonte dhe dhunonte fizikisht. Besnik Hasa ndodhet tashmë në qeli.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›