E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat e identitetit, fillon procesi në Durrës

Në rajonet e Bashkisë së Durrësit kanë filluar aplikimet për pajisjen me karta identiteti të qytetarëve. Për të ndjekur procesin, i cili ka filluar në rajonin nr 1 dhe 4 të Bashkisë Durrës, kanë qenë edhe zv/ministri Poni, kryebashkiaku Dako etj. Në këto rajone janë bërë gati zyrat për llogari të firmës prodhuese të kartave të identitetit, e cila kishte vendosur pajisjet dhe personelin përkatës, duke pritur aplikantët. Pak para fillimit të këtij procesi, posta e Durrësit njoftoi marrjen në dorëzim të 15 mijë kuponëve si fillim. Që në orët e para të mëngjesit, qytetarët u janë drejtuar sporteleve të Postës Shqiptare për t'u pajisur me kuponët e nevojshëm të aplikimit dhe për të vijuar më pas me procedurat e tjera. Në total për Durrësin firma "Sagem" do të sjellë 130 mijë kuponë, aq sa është numri i përgjithshëm i shtetasve që kanë mbushur moshën për t'u pajisur me kartat e identitetit. Pas këtyre dy rajoneve, ku procesi ka filluar, pritet që javën e ardhshme të fillojë ky proces edhe në tre të tjerat, ku aktualisht po punohet për përgatitjen e zyrave në mënyrë që shumë shpejt të fillojë puna edhe në to. Zv/ministri Poni ka pohuar se ka inspektuar vetë pjesën më të madhe të zyrave të gjendjeve civile të prefekturës për të parë nga afër vendosjen e të gjithë infrastrukturës që i duhet kompanisë përkatëse për të afruar dokumentin e identifikimit për të gjithë qytetarët. Edhe në Durrës, të parët që do të pajisen me kartë identiteti janë personat që nuk kanë pasaportë për jashtë shtetit. Prefekti i qarkut, Klodjan Pajuni ka bërë të ditur se për Bashkinë e Durrësit janë evidentuar 27 979 persona të tillë, të cilët duhet të aplikojnë për kartat e reja të identitetit. Procesi ka vënë në lëvizje dhe filialin e postës në Durrës, e cila dje ka punuar me katër sportele, ndërkohë që në total bëhet e ditur se në ditët e ardhshme do të jenë në dispozicion për shitjen e kuponëve, 33 sportele gjithsej.

Email This Klikime: 6

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›