E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat e identitetit, hapen ofertat në ministri

• TIRANË - Ministria e Brendshme hapi dje ofertat e kompanive ndërkombëtare të interesuara për prodhimin e pasaportave biometrike dhe kartave të identitetit.Rreth orës 14:00, zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni dhe anëtarët e komisionit të Vlerësimit të Ofertave, kanë hapur dokumentet e paraqitura nga kompanitë e huaja që konkurrojnë për prodhimin e pasaportave biometrike dhe kartave të identitetit. Në tender, nga shtatë përfaqësues të konkurrentëve janë paraqitur vetëm gjashtë prej tyre, ndërsa njëra prej kompanive kishte dërguar me postë ofertën e saj. Kompanitë e interesuara janë nga vende të ndryshme si Franca, Spanja, Gjermania, Italia, Belgjika dhe Pakistani. Kompanitë e paraqitura janë "Bundesdruckerei" nga Gjermania, prodhuese e pasaportave të tanishme, "Sagem" dhe "Oberthure" nga Franca, "Consorzio R.I.E" nga Itali, "Indra" nga Spanja, "Zetes" nga Belgjika dhe "Nadra" nga Pakistani. Në hapjen e ofertave ishin të pranishëm përfaqësues të gjashtë kompanive, që kanë paraqitur ofertat e subjekteve të tyre në mënyrë të drejtpërdrejtë. Një prej kompanive ka preferuar të paraqesë zarfin me dokumentet e nevojshme nëpërmjet postës. Përfaqësues të saj sipas krerëve të dikasterit të brendshëm që hapën ofertat e tenderit, nuk qenë të pranishëm. Ofertat u hapën në orën 14:00, nga zëvendësministri i Brendshëm për pushtetin vendor, Ferdinand Poni, me cilësinë e kryetarit të komisionit të Vlerësimit të këtyre ofertave. Anëtar të tij ishin zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë, Xhevdet Kopani, drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Armand Teliti dhe specialistë të tjerë nga zyra e pasaportave në Policinë e Shtetit dhe ekspertë të dokumentacionit në Ministrinë e Brendshme. Projekti i prodhimit të pasaportave biometrike dhe kartave të identitetit për shtetasit shqiptarë, është hartuar nga qeveria shqiptare. Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme, prodhimi i tyre synon që brenda vitit 2009, shqiptarët të kenë kartat e identitetit. Ndërkaq nëpërmjet prodhimit dhe shpërndarjes së pasaportave biometrike synohet t'i jepet fund një herë e mirë falsifikimit të këtij dokumenti të nevojshëm për udhëtim jashtë vendit. Ofertat e hapura mesditën e djeshme i përkasin propozimeve të ndryshme për prodhimin bashkërisht të dy dokumenteve, pasaportës biometrike dhe kartës së identitetit. Kjo, pasi edhe projekti i financimit të prodhimit të këtyre dokumenteve synon të ketë një prodhues të përbashkët të kartave të identitetit dhe pasaportave. Kompania franceze "Oberthure" njihet si një nga prodhuesit e kartave të marrësve satelitorë dhe kartave të ndryshme bankare. Po kështu edhe subjektet e tjera, "Sagem", në Francë, "Consorzio R.E.I", Itali dhe "Zetes" Belgjikë, kanë produkte të kësaj natyre. Në ofertat e ardhura nuk mungon Azia, me përfaqësues kompaninë shtetërore pakistaneze "Nadra", prodhuese e kartave të identiteti të Pakistanit, sipas sitit zyrtar të saj.                         d.bKompanitë e tenderit të hapur dje    "Bundesdruckerei"    Gjermani    "Sagem"        Francë     "Oberthure"         Francë     "Consorzio R.I.E"    Itali     "Indra"        Spanjë    "Zetes"        Belgjikë     "Nadra"        Pakistan

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›