E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gaz helmues në gjimnazin e Shijakut

• Të përjashtuarit nga shkolla përhapin lëndë toksike në ambientet e gjimnazit të Shijakut.Tetë persona kanë përfunduar në spitalin e qytetit në gjendje problematike, ndërsa policia shoqëroi dy të dyshuarit si autorë të ngjarjes së paprecedent. Për fat të mirë dritaret e lëna hapur si dhe korridoret e gjera dhe me kubaturë të lartë kanë zvogëluar ndjeshëm efektet helmuese për nxënësit e shkollës "16 Shtatori". Ngjarja e pazakontë ka ndodhur në orën 10:30, në kohën kur sapo kishte nisur të binte zilja e pushimit të madh. Efektiva të shumtë të policisë kanë rrethuar shkollën, duke menduar se kishin të bënin me ndonjë akt terrorist. Në kohën që lënda helmuese është lokalizuar në pjesën fundore të korridorit të katit të parë, nga mësuesit janë marrë masa urgjente për nxjerrjen jashtë të nxënësve. Drejtues të shkollës, mësues dhe nxënës tregojnë se lënda helmuese ishte përhapur në korridore përmes dy kutive spray. Sipas tyre ajo kishte një erë të fortë si dhe shkaktonte alergji te njerëzit. Në korridore është ndjerë një erë e rëndë që ngacmonte fillimisht sistemin e frymëmarrjes dhe provokonte ekzema në lëkurë. Menjëherë mësuesit kanë kontrolluar në korridore për të gjetur origjinën e helmit. Sapo kanë gjetur kutitë metalike është urdhëruar braktisja e menjëhershme e shkollës. "Pamja që të ofrohej ishte e tmerrshme. Të gjithë braktisën çantat dhe librat duke ia mbathur me të karta", tha një maturant i gjimnazit të Shijakut. Të njëjtën pamje paraqiste edhe salla e mësuesve, ku bluzat e bardha të arsimtarëve u hodhën rrëmujshëm mbi tavolina dhe banka. Me shpejtësi, nxënësit që kanë paraqitur probleme shëndetësore janë dërguar në spitalin e qytetit, për të marrë ndihmën e parë, pasi u janë shfaqur shenja në lëkurë dhe të vjella.Me urgjencë drejt gjimnazit kanë shkuar efektivat e policisë, që kanë nisur hetimet e menjëhershme për ngjarjen. Grupi hetimor ka marrë në pyetje intensive drejtuesit dhe mësuesit e kësaj shkolle, të cilët kanë marrë masa për mbrojtjen e jetës së nxënësve. Gjithashtu në pyetje janë marrë edhe gjimnazistët, kryesisht ata që mësonin në klasën pranë së cilës u konstatua lënda helmuese. Policia e Durrësit ka shoqëruar brenda pak orësh shtetasit Renato Keçi dhe Eno Xhia, duke i konsideruar ata si autorë të ngjarjes. Sipas policisë dy ish-nxënësit e kësaj shkolle, përmes këtij akti kanë synuar të hakmerren për përjashtimin që i është bërë atyre vetëm pak javë më parë. Por në polici të ndaluarit Keçi dhe Xhia kanë mohuar autorësinë e ngjarjes. "Nuk kemi qenë ne, por të tjerë, ata që hodhën kutitë e spray-t në shkollë", kanë deklaruar njëzëri dy të shoqëruarit. Deklaratat mohuese të tyre kanë vështirësuar punën e hetuesve, të cilët janë duke mbledhur provat në ngarkim të dy ish-nxënësve. Në cilësinë e provës materiale janë bllokuar kutitë helmuese, të cilat dyshohet se janë hedhur në shkollë nga këta nxënës. Sipas dëshmitarëve kutitë metalike të spray-t mbanin erë të rëndë dhe mund të shërbenin për dezinfektim të mjediseve bujqësore apo blegtorale.PacientëtPrej tetë pacientëve është marrë nga Drejtoria e Shëndetit Parësor të Durrësit nga një kampion gjaku, i cili do të analizohet në laboratorin toksikologjik. "Përmes kësaj metode do të vërtetojmë shkencërisht efektet e padukshme të helmit dhe faktin nëse ai ka depërtuar apo jo në gjak", u shpreh mjeku i urgjencës.KampionëtEkspertë të policisë shkencore mbërritën në vendngjarje, ku kanë marrë disa kampionë të lëndës për të ekzaminuar në laborator përbërësin. Dyshimet e para hidhen për ndonjë insekticid, apo pesticid të fortë. "Lënda ka qenë e fabrikuar mirë dhe jo e prodhuar në mënyrë artizanale", konfirmoi një ekspert policor për gazetën.Mjeku: Si ndihmuam gjimnazistëtOra 11:00 e paradites ka shënuar një emergjencë të vërtetë në Qendrën Shëndetësore të Shijakut, aty ku tetë nxënës të shkollës "16 Shtatori" janë shtruar me urgjencë. Mjeku i rojës në këtë spital Fatmir Shahini, rrëfen për "Panorama" se ato ishin të përfshira nga paniku. "Pesë prej nxënësve kishin alergji të theksuar, ndaj atyre u injektua deksametazon, një medikament mjaft efikas kundër alergjive akute", tha Shahini. Sipas mjekut roje, gjimnazistët e Shijakut shfaqën njolla në lëkurë, irritime në formë kruajtjesh, teshtima të forta, dhimbje koke, vështirësi në frymëmarrje, dobësi trupore, tharje fyti dhe gjendje paniku. Pacientët ishin të moshave 15, 16 dhe 17 vjeç. Fatmir Shahini bën me dije se "helmi ka qenë i fortë, por fatmirësisht ambientet voluminoze të shkollën kanë ulur efektin e dëmshëm të tij". Pas katër orë mbikëqyrje të rreptë gjendja e adoleshentëve është përmirësuar dhe bluzat e bardha të Shijakut kanë vendosur dërgimin e tyre në shtëpi. "I porositëm pacientët dhe familjarët e tyre që të mos neglizhojnë asnjë përkeqësim të gjendjes, por t'i drejtohen qoftë edhe për dyshimin më të vogël përsëri spitalit", tha Shahini.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›