E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtëpitë muze, rrëzohet neni "Për shpronësimin"

• Kuvendi rrëzon kërkesën e ministrisë, që shteti të ketë të drejtën e shpronësisë për ato shtëpi-muze që mbrohen nga shteti dhe që janë drejt rrënimit.Nisma e qeverisë për ndryshimin e ligjit "Për trashëgiminë kulturore", e propozuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve pati konstatime nga ana e deputetëve të opozitës, por edhe të vetë kryeparlamentares Topalli për pikën 3 të nenit 23. Kjo pikë lidhet me shpronësimin e atyre banesave të shpallura "Monument Kulture", por që nuk mirëmbahen nga pronarët e ligjshëm për shkak të pamundësisë financiare ose janë braktisur prej tyre. Nëse pronari i shtëpisë nuk i përgjigjet financiarisht mirëmbajtjes së shtëpisë, atëherë shtetit i lind e drejta e shpronësimit të banesës. Kreu i grupit të PS-së, Valentina Leskaj, e cilësoi si "antikushtetuese përcaktimin e një klauzole të tillë ligjore". "Nuk mundemi ne që një familjeje pensionisti që nuk ka mundësi të jetojë, t'i themi se nëse nuk paguan ne do të shpronësojmë dhe një gjë e tillë bie ndesh me nenet e Kushtetutës, ku e drejta e pronës nuk cenohet. Një gjë e tillë është absurde", tha Leskaj. Ministri Pango pretendonte të kundërtën, në rastet kur një familje e braktis vetë shtëpinë, për shkaqe të emigracionit. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ishte pro idesë së shprehur nga ana e opozitës, duke kontestuar një sanksionim të tillë. "Nuk mund të ketë shpronësime, s’jemi në kohën e Enverit ne këtu për të realizuar gjëra të tilla. Ky nen do të rrëzohet", deklaroi Topalli, edhe pse ministrat Pango dhe Bode shpreheshin se nëse rrëzohet bie e gjithë natyra e ligjit. Heqja e këtij neni u votua me konsensus mes pozitës dhe opozitës. Por Braçe akuzoi maxhorancën se me këtë ligj po legalizon ndërtimin e pallateve në zonat e mbrojtura nga ligji.          b.h

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›