E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bush: Nuk ka ndarje të Kosovës

• Presidenti amerikan, Xhorxh Bush, ka theksuar mbështetjen për pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës dhe kufijtë aktualë të saj.Pas një takimi në Shtëpinë e Bardhë me Kryeministrin e Çekisë, Topolanek, Bush tha se, "Shtetet e Bashkuara besojnë në shoqëritë e lira dhe besojnë se zgjidhja aktuale për Kosovën do të çojë drejt paqes. Nuk janë vendosur kufij të rinj. Kufijtë e Kosovës kanë qenë të përcaktuar shumë qartë. Lloji i qeverisjes ka ndryshuar tashmë në Kosovë", tha Bush. Më tej, Presidenti amerikan ka shtuar se si pjesë e planit Ahtisari, SHBA pret që Kosova e pavarur të respektojë të drejtat e pakicave brenda kufijve të tyre. "Në këtë kuptim qëndrimi ynë është i qartë", ka theksuar Presidenti Bush. Deklarata e Presidentit amerikan vjen në një kohë kur Serbia po përpiqet të marrë veriun e Kosovës, duke organizuar protesta në këtë zonë, të populluar kryesisht nga serbët. Zona si Mitrovica kanë deklaruar se janë pjesë e Serbisë dhe nuk e pranojnë qeverisjen e institucioneve të Kosovës. Përfaqësuesit e minoritetit serb kanë kërkuar ndërhyrjen e ushtrisë ruse për t'i mbrojtur ata nga kosovarët, pasi sipas liderit nacionalist Milan Ivanoviç, Kosova mund ta qeverisë Mitrovicën e serbëve vetëm duke përdorur forcën. Dhe liderët e Kosovës kanë deklaruar se nuk do të heqin dorë nga asnjë pjesë e territorit të Kosovës.  Grupi për Kosovën"Nuk do të ketë ndarje të Kosovës", kjo ka qenë deklarata e Grupit Ndërkombëtar për Kosovën, i cili u takua dje për herë të parë në Vjenë, që kur Kosova shpalli pavarësinë. "Kjo nuk është e paraparë dhe nuk është qëllimi i këtij grupi", ka deklaruar i dërguari evropian në Kosovë, Peter Feith, i cili drejtoi këtë  takim. Detyra kryesore e këtij grupi do jetë mbikëqyrja e zbatimit të Planit të Ahtisarit. Në takim morën pjesë përfaqësues nga 15 shtete. Austria, Çekia, Finlanda, Gjermania, Italia, Suedia, Turqia, Shtetet e Bashkuara, Belgjika, Danimarka, Franca, Hungaria, Sllovenia, Zvicra dhe Britania, deklaruan se dëshirojnë të promovojnë zhvillimin e Kosovës si një shtet të qëndrueshëm, shumetnik dhe demokratik. "Roli im do të jetë që të siguroj se do të mbrohen të drejtat dhe mënyra e jetesës e të gjitha komuniteteve, veçanërisht të komunitetit serb", tha Pieter Feith. Ai tha se për këtë qëllim, grupi i ka marrë përkushtimet e nevojshme nga udhëheqësit e Kosovës. Feith theksoi se grupi nuk do të tolerojë dhunën dhe as krijimin e institucioneve paralele të sigurisë në territorin e Kosovës. Deklarata e Obamës"Shtetet e Bashkuara e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, si shumë vende të tjera, të cilat, për më tepër, kanë detyrime për të frenuar një ndërhyrje të armatosur", tha kandidati demokrat amerikan për presidencën, Barak Obama. Ai tha se presidenca amerikane nuk do të veprojë e vetme për të parandaluar kërcënimet mbi hipotezat e një pushtimi të Kosovës nga Rusia, por do të mbështetet te NATO, e cila ka ndihmuar në ndalimin e shumë konflikteve në Ballkan.Beograd: Policia ndal tubimin pro BEPolicia e Serbisë ka ndaluar një tubim të studentëve, i cili zhvillohej për të mbështetur Bashkimin Evropian. Sipas agjencisë së lajmeve AFP, policia nuk i lejoi studentët e universitetit që të tubohen para ambasadës së Sllovenisë në Beograd, vendit kryesues të BE-së. Megjithatë, policia e lejoi udhëheqësin e studentëve, Simon Simonoviç, që t'i afrohet ambasadës sllovene si dhe ambasadorit Miroslav Luci t'i japë një panel qelqi për të zëvendësuar dritaren, e cila u thye gjatë protestave të javës së kaluar kundër pavarësisë së Kosovës. "Ne dëshirojmë t'ia japim këtë dhuratë ambasadorit slloven për të treguar se kjo nuk është fytyra e vërtetë e Serbisë", tha Simonoviç.Serbia nuk do të paguajë borxhin e KosovësQeveria e Serbisë do të shqyrtojë gjatë ditës propozimin nëse mund të ndalojë pagesën e borxhit të Kosovës ndaj institucioneve financiare ndërkombëtare. Sipas qeverisë serbe, borxhi i Kosovës, që po paguhej nga Beogradi, ishte 1.2 miliardë dollarë. Ministri i Ekonomisë, Mladjan Dinkiç, tha se qeveria do krijojë një ekip të posaçëm për këtë çështje. Propozimi i Dinkiçit ka provokuar polemika të ashpra në Parlamentin serb, ndërsa një pjesë e deputetëve e kanë mbështetur atë si një vendim që duhet marrë në ndihmë të ekonomisë serbe. Ata që përfaqësojnë një linjë më të ashpër në qeveri, i tremben faktit se kjo është shenjë që tregon se Serbia po heq dorë nga Kosova.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›