Kartat e identitetit, postat nuk disponojnë më kupona
Mbetet pezull procesi i pajisjes së qytetarëve me karta identiteti. Në ditën e dytë të aplikimeve, zyrat postare nuk disponojnë as edhe një kupon. Rreth 4000 të tillë të prodhuar në fillim nga firma, kanë përfunduar që ditën e parë. Në pamundësi për t'iu përgjigjur fluksit të lartë të qytetarëve, për të bërë pagesën e dokumentit në fjalë, zyrat postare kanë nxjerrë pranë sporteleve përkatëse një njoftim, ku thuhet se shpërndarja e kuponave do të rinisë më datë 15 janar. Mungesa e kuponave ka vënë në vështirësi edhe personelin e zyrave postare. Këto të fundit nuk mund t'ju japin shumë shpjegime qyterave për mungesën e mandat-arkëtimeve. Por, thonë se kanë njoftim për mbërritjen e tyre rreth ditës së enjte. Për letërnjoftimin elektronik çdo qytetar duhet të paguajë 1200 lek të reja, pranë zyrave postare. Me kuponin përkatës, ai do të drejtohet në zyrën e ngritur pranë njësisë bashkiake përktaëse, për të bërë aplikimin. Nga koha e realizimit të kësaj procedure, qytetarit i duhen 2 javë për të marrë në dorë kartën e tij të identitetit. Autoritetet përkatëse kanë njoftuar se, mospajisja me kartën e identietit, përvecse do të jetë pengesë për përfitimin e një sërë shërbimesh, do të shoqërohet edhe me sanksione.