Nafta kthehet te 70 USD/fuçi
Karburanti i rikthehet rritjes së çmimit në tregjet ndërkombëtare. Sipas ekspertëve të fushës, shtrenjtimi i naftës është rrjedhojë e shenjave optimiste të rimëkëmbjes ekonomike, duke parë edhe rritjen e kërkesës. Në bursën e Nju Jorkut, gjatë ditës së djeshme, nafta amerikane "light crude" është shitur për rreth 68,50 dollarë për fuçi. Këtë fakt e vërtetojnë kontratat e lidhura për muajin gusht, gjë që paralajmëron rritjen në të ardhmen edhe te pikat e tregtimit me pakicë, duke rënduar akoma e më tej konsumatorin. Shenja aspak pozitive janë parë në bursën e Londrës, ku nafta "brent" është kuotuar për rreth 70,86 dollarë për fuçi, me një rritje prej 0.54 dollarë. Gjatë gjithë ditës së djeshme, nafta në tregjet europiane është shkëmbyer duke prekur çmimin minimum 70.28 dhe maksimumin në 71,28 dollarë për fuçi. Në këtë situatë, shumë shpejt ndikimi i rritjes së çmimeve do të jepet edhe në tregun vendas, ku ndryshimet e fundit u regjistruan një muaj më parë.