E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat për pensionistët, ja si do të rimbursohen

Pagesa për kuponin do të mbahet nga pensioni i radhës. Drejtoresha e Institutit të Sigurimeve Shoqërore së bashku me drejtorin e Postës Shqiptare, kanë bërë publike skemën e kompensimit të pensionistëve që kanë aplikuar 

TIRANE-Të gjithë pensionistët që nuk kanë pasaportë dhe akoma nuk kanë aplikuar për të marrë kuponin për kartat e identitetit, duke filluar nga data 1 maj do të pajisen me këtë kupon pranë sporteleve të postës, pa bërë pagesë me lekë në dorë për të. Pagesa për kuponin do të mbahet nga pensioni i radhës. Drejtoresha e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Evelina Koldashi së bashku me drejtorin e Postës Shqiptare, Arqile Goreja, kanë bërë publike skemën e kompensimit të pensionistëve që kanë aplikuar apo do të aplikojnë për kartat e identitetit. Për pensionistët e qytetit dhe fshatit që kanë pension minimal dhe nuk kanë pasaportë, vlera që do të paguajnë për pajisjen me letërnjoftim do të jetë 200 lekë, ndërsa për të tjerët që përfitojnë pension mbi atë minimal, pagesa për kartën e identitetit do të jetë 400 lekë. Rimbursimi do të bëhet gjithashtu edhe për ata pensionistë, të cilët do të kenë aplikuar para datës 1 maj. Sipas ISSH-së dhe Postës Shqiptare, kompensimi nga shteti i vlerës së përcaktuar do të bëhet për aplikimet e kryera deri në datën 20 qershor dhe për letërnjoftimet e marra, deri në datën 28 qershor të këtij viti. Aktualisht në vend janë rreth 350 mijë pensionistë pa pasaportë, nga të cilët 50 mijë kanë aplikuar. Për të marrë kompensimin që u takon, pensionistët duhet të dorëzojnë në zyrat postare ku edhe marrin pensionin, një kopje të formularit të aplikimit ose të kartës së identitetit. Drejtori i Postës Shqiptare, Arqile Goreja tha se posta ka të gjitha kapacitetet e nevojshme për të realizuar këtë proces. "Janë emetuar rreth 500 mijë kuponë për aplikimin për karta identiteti dhe pasaporta biometrike. Posta Shqiptare ka gjithë kapacitetet e nevojshme", - tha Goreja.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›