Kartat për studentët, nis të hënën aplikimi në universitete
Blerja e kuponëve me vetëm 2.000 lekë
Universiteti bleu 46 mijë kuponë
Prej ditës së hënë të gjithë studentët që nuk kanë pasaporta do të mund të blejnë në mjediset e Universitetit të Tiranës kuponët e letërnjoftimeve, me çmimin simbolik të 2 mijë lekëve. Lajmi konfirmohet nga burime në rektoratin e universitetit më të madh në vend, sipas të cilëve, tashmë janë identifikuar të gjitha emrat e atyre studentëve që nuk kanë pasaporta dhe nuk kanë aplikuar për kartat ende.
Pas thirrjes së Kryeministrit Berisha drejtuar të gjitha institucioneve arsimore, si edhe pushtetit lokal, për të blerë kuponët e letërnjoftimeve dhe për t’i shitur ato te studentët me çmimin e rimbursimit, rektori i Universitetit të Tiranës, prof. dr. Dhori Kule, ishte i pari që mori një vendim të tillë. Në këtë mënyrë, burokracia për studentët e UT-së duket se është venitur, pasi ata nuk do të duhet të blejnë kuponin me çmimin e tregut, 12 mijë lekë, e më pas të rimbursohen, por do ta blejnë me vetëm 2 mijë lekë.
Drejtori i Komunikimit në UT ishte shprehur se e gjithë kjo u krye duke parë burokracinë ekzistuese, që qeveria tentoi ta mënjanonte, duke u bërë thirrje institucioneve. Këtë burokraci e ka shmangur rektorati, duke bërë blerjen e menjëhershme të kuponëve. Ervin Demo, drejtor i Komunikimit në Universitetin e Tiranës, u shpreh dy ditë më parë për “standard” se kjo nismë është ndërmarrë për të lehtësuar studentët.
“Ne e dimë që ishte mjaft e ndërlikuar procedura e rimbursimit dhe pas shtysës së Kryeministrit, vendosëm të blejmë kuponët, duke hequr një hallkë. Brenda tri ditëve ne nxorën bazën e të dhënave të studentëve që nuk kanë pasaportë e si pasojë duhet të aplikojnë për letërnjoftimin dhe rezultoi se ata janë 46 mijë. Këta studentë do të mund të blejnë kartat me vetëm 2 mijë lekë pranë universitetit”, – tha Demo.
Shuma që duhej të paguanin të gjithë shtetasit shqiptarë për të marrë letërnjoftimin elektronik ishte 1.200 lekë të reja. Ndërkohë që për t’u ardhur në ndihmë kategorive të caktuara dhe për t’u ndihmuar në procesin e shpejtë të aplikimit, qeveria ka vendosur që të ulen çmimet për letërnjoftimet elektronike.
Kështu, për të gjithë ata pensionistë me pension minimal në qytet dhe të gjithë pensionistët e fshatit që kanë aplikuar apo do të vazhdojnë të aplikojnë deri në datën 1 maj 2009, çmimi do të jetë për kartën 300 lekë. Ndërsa, për të gjithë studentët dhe qytetarët që përfitojnë ndihmën ekonomike për shkak të punësisë, apo për të gjithë ata të cilët deri më 28 qershor 2009 mbushin 18 vjeç dhe që kanë aplikuar deri tani për letërnjoftimin elektronik apo do të aplikojnë, çmimi do të jetë 200 lekë.