Prençi, në Shkodër: Parandaloni kultivimin e lëndëve narkotike
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, u ka kërkuar drejtuesve të Qarkut të Shkodrës, që të intensifikojnë luftën në parandalimin e prodhimit të lëndëve narkotike. Pas takimeve të zhvilluara në Vlorë dhe Durrës, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Shkodër janë mbledhur drejtorët, shefat e Rendit dhe Sigurisë Publike, shefat e Komisariateve si dhe drejtorët rajonalë të kufirit të qarqeve Shkodër, Lezhë dhe Kukës. Prençi ka deklaruar prerë se në Qarkun e Shkodrës, por edhe në qarqe të tjera, që vitin e kaluar është konstatuar kultivimi i bimëve narkotike, të merren masa që këtë vit, pavarësisht se është vit zgjedhor, të mos lejohet kultivimi i bimëve narkotike. Sipas Prençit, askush të mos mendojë se meqë jemi para zgjedhjeve, policia do ta tolerojë këtë fenomen. “Është e domosdoshme, që lufta kundër këtij fenomeni të jetë më e organizuar, për të realizuar një bashkëpunim më efektiv me të gjitha strukturat e administratës shtetërore, duke vlerësuar drejtë rëndësinë e këtij fenomeni jo vetëm si aksion policor, por si aksion kombëtar me përgjegjësi direkte, me qëllimin për të zhdukur përfundimisht këtë fenomen”, - u shpreh Prençi. Gjithashtu, drejtori i Përgjithshëm ka pohuar se detyrat e policisë para, gjatë dhe në përfundim të procesit zgjedhor janë të përcaktuara qartë në Kodin Zgjedhor dhe për këtë arsye kërkohet zbatimi me korrektësi e detyrave që ka përcaktuar Kodi Zgjedhor. Veprimtaria e Policisë së Shtetit në këtë proces do të jetë transparente, nënvizoi Prençi, dhe drejtuesit e drejtorive dhe komisariateve duhet të bëjnë transparencë të plotë gjithë veprimtarinë e policisë në procesin zgjedhor për zonat ku ata janë përgjegjës. Drejtori i Përgjithshëm ka theksuar se në çdo qark do të ketë nga një përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme dhe ekspert ndërkombëtar të PAMECA-s dhe ICITAP-it, për të monitoruar veprimet e drejtuesve të drejtorive, shefave të komisariateve dhe punonjësve të policisë.