E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat, refuzohen tri kërkesat e PS-së

Letërkëmbimi i fundit mes Partisë Socialiste dhe Ministrisë së
Brendshme nuk rezultoi sërish pozitiv, edhe pse data 31 maj ishte
ultimatumi i selisë rozë për të marrë informacion për kartat e
identitetit. Paraditen e djeshme PS nisi një tjetër letër në adresë të
ministrit Nishani, ku këmbënguli që të marrë informacion për listën
elektronike të votuesve me pasaportë të vlefshme, shoqëruar kjo me të
dhëna si emri, atësia, mëmësia, datëlindja dhe numri i pasaportës deri
në datën 28 maj 2009. Së dyti, PS kërkoi listën elektronike me emër,
atësi, mëmësi, mbiemër, datëlindje dhe numrin e aplikimit të 1013359
aplikantëve për letërnjoftime. Së treti, listën elektronike me emër,
atësi, mëmësi, mbiemër, datëlindje dhe numër të aplikimit të të gjithë
aplikantëve që kanë marrë në dorë letërnjoftimin, të përditësuar me të
dhënat e datës 28 maj 2009. Disa orë më vonë, në një letër në emër të
zv.ministrit Poni, ministria vuri në dispozicion të PS-së listën
emërore të votuesve pa pasaportë të cilët kanë aplikuar për
letërnjoftimin elektronik, listën emërore të votuesve pa pasaportë të
cilët nuk kanë aplikuar ende për letërnjoftimin elektronik. Ndërsa
rikonfirmoi se do vërë në dispozicion të opozitës dhe listën e
votuesve pa pasaportë që kanë tërhequr letërnjoftimin, sapo të marrë
të dhënat nga koncensionari. Poni konfirmoi se nëse të gjithë
shtetasit pa pasaportë do të mund të aplikojnë deri në mes të
qershorit, ata do ta marrin kartën e identitetit para datës së
votimit.
Sakaq, sekretari për çështjet zgjedhore në PS, Islami, paraprakisht
bëri me dije se "pa dashur të bëjë asnjë presion, ju bëj paraprakisht
me dije se mungesa e një përgjigjeje apo një përgjigjeje negative do
ta vlerësohen tregues shtesë me ndikim negativ në analizën dhe
vlerësimin e procesit". Edhe një herë Islami sqaroi nevojën e
disponimit të informacionit për procesin e kartave të identitetit. Ai
bëri të ditur se PS ndjen nevojën e një analize të thelluar dhe
vlerësimi integral të pajisjes së votuesve me letërnjoftim, bazuar
edhe në informacionet zyrtare që ka kërkuar. Kjo analizë e ky vlerësim
do të jenë në themel të përcaktimit të qëndrimit përfundimtar të PS.
Zv/ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, në letrën dërguar selisë rozë
bëri të ditur se Ministria e Brendshme mbetet maksimalisht e angazhuar
për të siguruar ecurinë maksimale të procesit dhe për të përmbushur
tërësisht standardet zgjedhore. "Por do të kërkonim nga ju dhe të
gjitha forcat politike mbështetjen pa lëkundje dhe pa mëdyshje të
këtij procesi jetik jo vetëm për zgjedhjet, por edhe për çështjen e
integrimit evropian". Paraditen e djeshme, ministri i Brendshëm, Bujar
Nishani, informoi prodhimin e letërnjoftimit të 1 miliontë. i
pranishëm në qendrën e prodhimit të kartave të identitetit, ministri
Nishani e cilësoi si të suksesshëm dhe të realizuar procesin e
pajisjes me karta identiteti të qytetarëve shqiptarë. Duke iu referuar
shifrave konkrete, kreu i Ministrisë së Brendshme informoi se 460 mijë
shtetas pa pasaportë kanë aplikuar për letërnjoftim, ndërsa u bëri
thirrje të paraqiten para qendrave vendore për të tërhequr kartat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›