E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodheli: Sot, më shumë se më parë gra të papuna

Kandidatet e Qarkut të Korçës, Mimi Kodheli, Olta Xhacka e Irena
Kallço, kanë zhvilluar një takim me gra të qytetit të Korçës. Në
fjalën e saj, Kodheli është përqendruar në faktin se Shqipëria dhe
veçanërisht gratë janë më të papuna se katër vjet më parë. Kandidatet
për deputete të Qarkut Korçë kanë kërkuar votën për Partinë
Socialiste, për të bërë të mundur ndryshimin.
"Përqindja e papunësisë te gratë është shumë mbi mesataren mbi
përqindjen e papunësisë në Shqipëri, e cila nga ana e vet është një
përqindje shumë më e lartë krahasuar me atë në Evropë. Sot, në kohën e
internetit, analfabetizmi ndër femra është absolutisht më i lartë se
ndër djem, dhe rritet me hapa galopantë. Sot, kur në Evropë ka më
shumë se kurdoherë gra që përfaqësojnë vendet e tyre, në pozicione
shumë të rëndësishme, Shqipëria pëson një dhunë në rritje ndaj grave
dhe një indiferentizëm të pashoq të strukturave shtetërore ndaj këtij
fenomeni të trishtueshëm", tha Kodheli. Më tej, kandidatja socialiste
theksoi se programi qeverisës i Partisë Socialiste dhe i Edi Ramës
është shkruar ndryshe, është shkruar duke dëgjuar për dy vjet me radhë
hallet dhe problemet tona, është shkruar me profesionalizëm nga
ekspertët më të mirë, por mbi të gjitha dhe ajo çka është më e
rëndësishme, është shkruar me zemër dhe në respekt të dinjitetit të
lirisë të çdonjërës prej nesh. "Do të bëjmë bashkë atë që në 18 vjet
nuk u bë, do të jemi bashkë për të shkruar një faqe ndryshe të
historisë, faqen e politikës së njerëzve dhe për njerëzit, faqen e
dinjitetit për çdonjërën prej nesh, faqen për një të ardhme evropiane
për fëmijët tanë", shtoi ajo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›