Qershori vjen me reshje, shi deri të enjten
Kjo verë do të jetë nga më të nxehtat për Shqipërinë. Parashikimi është bërë nga sinoptikanët, të cilët theksuan se temperaturat që do të regjistrohen do të jenë edhe mbi 40 gradë Celsius. Por deri të enjten do të kemi një mot të paqëndrueshëm me vranësira. Reshjet e shiut, që janë shoqëruar edhe me ulje të menjëhershme të temperaturave, pritet të vazhdojnë deri të enjten. Meteorologët sqarojnë se temperaturat kanë zbritur mesatarisht me 5 gradë Celsius, duke bërë që në zonat veriore termometri të shënoje 6 gradë Celsius. Ditën e diel, ashtu siç ishte dhe parashikimi, moti pati një përmirësim në të gjithë vendin, por në fillim të javës reshjet e shiut do të rikthehen. Temperaturat gjatë ditëve të ardhshme pritet të rriten me 2 deri në 3 gradë Celsius. Gjatë kësaj fundjave moti ka ndryshuar tërësisht. Moti i freskët, paqëndrueshmëria dhe reshjet do të jenë të pranishme në të gjithë vendin të paktën deri në mes të javës. Sipas meteorologëve, pas kësaj pritet një ngrohje e motit që do të risjellë edhe temperatura më të larta.